Qyteti i Ferizajit të shtunën ishte mikpritës i turneut tradicional të karatesë, “Kosova Karate Senior Open 2022”.

Mes 16 garuesve nga Kosova, në këtë event u përfaqësua edhe Klubi i Karatesë “Fati” nga Tetova me anë të karateistit, Doan Osmani.

Në konkurencë interesante në kategorinë absolute, gostivarasi performoi në nivel të kënaqshëm dhe pavarësisht pakënaqësisë së tij nga disa vendime të arbitrave, ai në fund siguroi podiumin pasi u ndal në vendin e tretë, që gjithsesi paraqet sukses për të. Doan Osmani zhvilloi katër lufta, u mund vetëm në gjysmëfinale dhe në mënyrën më të mirë shfrytëzoi këtë turne për tu përgatitur për sfidat e rradhës që e presin në vijim të vitit.

“Edhe pse gjithmonë synoj të jem sa më lartë, duhet të jem i kënaqur me këtë rezultat. Në punën time synoj të jem sa më i përpiktë, të jap maksimumin dhe të fitoj me meritë duke ushtruar e performuar në gara, me respekt maksimal për çdo garues që më del përpara. Prandaj nuk dua të tingëllojë si arsyetim apo mos respekt ndaj dikujt, por realisht mendoj se në momente arbitrat nuk ishin edhe aq të saktë në ndarjen e drejtësisë. Gjithsesi unë e vlerësoj të suksesshme këtë garë dhe jam i kënaqur me paraqitjen, që gjithmonë mundet edhe më mirë. Me këtë rast dua të shpreh një falamenderim publik për mikun tim Sait Lleshi, i cili më ka përkrahë tejmase në këtë garë”, është shprehur Doan Osmani pas përfundimit të turneut “Kosova Karate Senior Open 2022”. Pro FM

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.