Pro-FM Gostivar

City, i vendosur për të luajtur finalen e parë të Championsit

4 min read

Te Manchester City janë të vendosur për ta shkruar historinë në Ligën e Kampionëve. E për ta bërë një gjë të tillë, mbrojtësi John Stones ka thënë se City duhet ta eliminojë Paris Saint-Germainin në gjysmëfinale për ta prekur finalen e Championsit.

Në konferencën për shtyp ta mbajtur të hënën, Stones ka thënë se ai dhe bashkëlojtarët janë të gatshëm për të shkruar një kapitull magjik në historinë e Cityt. Në ndeshjen e parë gjysmëfinale, të luajtur javën e shkuar në Paris, City triumfoi ndaj kampionit në fuqi të Francës, PSG-së, me rezultatin 2:1. Ndeshja e kthimit do të luhet të martën mbrëma në “Eithad Stadium” prej orës 21:00.

“Jemi para një momenti të madh në Ligën e Kampionëve dhe synimi është që të shkruajmë historinë, fillimisht duke u kualifikuar në finale dhe pastaj duke e fituar këtë garë. Vetëm 90 minuta na ndajnë nga finalja dhe besoj se jemi të gatshëm. Vetëbesimi është i madh dhe ne do të dalim në fushë për t’u konfirmuar në finalen e Championsit”, ka thënë Stones. “Është një rast unik si për lojtarët, ashtu edhe për klubin tonë. Jemi në situatë të favorshme dhe nuk duhet ta lëshojmë rastin nga dora. Ne duam të shkruajmë historinë e këtij klubi”.

Në ndeshjen e luajtur në Paris, City shënoi dy gola për ta përmbysur rezultatin dhe për të bërë një hap të rëndësishëm drejt finales. Trajneri i Cityt, Pep Guardiola, u ka bërë thirrje lojtarëve të tij që të “prodhojnë një paraqitje perfekte” kundër Parisit për ta siguruar finalen e parë në histori të ekipit anglez.

Në fakt, City këtë edicion është në kërkim të tripletës. Ka triumfuar në Kupën e Ligës derisa i nevojitën vetëm edhe dy pikë për t’u konfirmuar kampion i Premier Leagues.

“Të gjithë e kanë parasysh se po përjetojmë diçka speciale këtë edicion. Jemi një hap larg titullit të kampionit, i cili do të jetë i treti brenda katër vjetësh. Ndërsa, jemi edhe shumë afër finales së Ligës së Kampionëve. Ne do të futemi me besim të madh në ndeshjen e dytë gjysmëfinale dhe besoj se lojtarët do të kenë një ndeshje perfekte për ta siguruar finalen e parë në histori të klubit”, është shprehur Guardiola. “Ne duhet ta bëjmë punën tonë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Duhet të luajmë si ekip me mentalitet fituesi dhe ta fitojmë ndeshjen. Duhet të jemi më shumë agresivë si me top, ashtu edhe pa top që të fitojmë. Besoj se ekipi është i gatshëm për ta bërë hapin e shumëpritur, kualifikimin në finale”.

Te Paris Saint-Germaini kanë zbuluar se janë super të motivuar për ndeshjen e kthimit ndaj Cityt. Ekipi nga Ligue 1 po e kërkon finalen e dytë rresht në këtë garë. Edicionin e shkuar luajti në finale të Championsit por pësoi nga Bayern Munichu.

Mbrojtësi i krahut të djathtë, Alessandro Florenzi ka insistuar se Parisi mund të shënoj gola në “Etihad Stadium” dhe të sigurojë kalimin në finale, ndonëse pranoi se nuk do të jetë lehtë.

“Mendoj se kemi cilësi për ta bërë një gjë të tillë. Do të bëjmë presion prej fillimit të ndeshjes dhe jam optimist i madh. Mund të bëjmë gjëra të mëdha, pra të shkrijmë epërsinë e Cityt nga ndeshja e parë dhe të kualifikohemi në finalen e Ligës së Kampionëve për herën e dytë rresht”, ka thënë Florenzi. “Jemi përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme për ta fituar këtë ndeshje të madhe. Në fushë do të futemi me zemër, krenari dhe dëshirë për ta fituar ndeshjen dhe siguruar finalen”.

Ndërkohë, sulmuesi i PSG-së, braziliani Neymar ka thënë se do të bëjë të pamundurën për ta kualifikuar ekipin e tij në finale.

“Duhet të japim gjithçka nga vetja dhe të rikthehemi fuqishëm në ndeshjen e kthimit për ta siguruar finalen”, tha ndër të tjera Neymar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Copyright PRO FM © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.