Lëvizja BESA: Votojmë shkarkimin e prokurorit Zvërlevski për shkak të Monstrës dhe Sopotit

Deputeti i Lëizjes BESA, Fadil Zendeli tha sot se është irrituese dhe jo në nivel të një qeverie të përgjegjshme është arsyetimi që Qeveria e dha në Kuvendin Republikan për shkarkimin e kryeprokurorit Zvërlevski. Sipas tij, Qeveria ka anashkaluar shkeljet gjyqësore ndaj shqiptarëve duke theksuar vetëm rastet AKVA, Masat e Posaçme Hetuese te kryeministri, ndjekja e kundërshtarëve politikë nga opozita e atëhershme, bisedat e përgjuara.

“Të gjithë e dimë se viteve të fundit në Maqedoni janë zhvilluar procedura gjyqësore, që shqiptarët i konsiderojnë të montuara, që kanë përfunduar me vendime skandaloze, ku viktima kanë qenë kryesisht shqiptarët, siç janë SOPOTI e MONSTRA, ndërsa pikërisht Prokuroria e Përgjithshme ka qenë protagoniste e procedurave gjyqësore kundër shqiptarëve. Megjithatë, asnjë nga këto nuk janë pjesë e arsyetimit të qeverise. Prandaj kjo vetvetiu e imponon pyetjen se a qëndron edhe kjo qeveri pas atyre vendimeve skandaloze të Prokurorisë së Përgjithshme ndaj shqiptarëve? Sikur Ministria e Drejtësisë të kishte qenë e vëmendshme, do të kishte mundësi t’i përmendë edhe rastet ku Prokuroria nuk ka vepruar konform kompetencave ligjore, siç ishin rrahjet që u ndodhin nxënësve dhe të rinjve shqiptarë rrugëve të Shkupit, por jo vetëm, e as rastet kur shqiptarët për pjesëmarrje në protestë u dënuan me disa vite burg.” tha Zendeli.

I pyetur se duke pasur parasysh se ministri i BDI-së nuk ka marrë pjesë në seancë kur është propozuar shkarkimi i Zvërlevskit a do të thotë kjo se BDI edhe më tej i shërben politikës së VMRO-DPMNE-së?

“Kur vijnë çështjet si shkarkimi i Zvërlevskit vijnë pjesëtarët e LSDM-së që janë zëvendësa të ministrive kurse nuk vijnë ministrat e BDI-së. Është e dukshëm se shkarkimi i Zvërlevskit nuk është në listën e BDI-së. Kjo është një e dhënë për opinionin dhe për ne si deputet se ministrat e BDI-së nuk marrin pjesë në seanca ku po merren vendime të rëndësishme dhe në vend të tyre dërgojnë pjesëtarët e LSDM-së që ata të debatojnë”, tha Zendeli.

Zendeli kërkon sqarim për sa i përket këtyre anashkalimeve nga kuadri i BDI-së, që për çështje të rëndësishme për shqiptarët nuk tregon interesim.

Duke pasur parasysh se VMRO-DPMNE-ja tha se do të paraqesë propozim ligj për zgjedhjen e prokurorit publik, BESA si opozitë nuk ka ndonjë qëndrim konkret për këtë gjë tash për tash.

“Sa i përket propozimit të VMRO-DPMNE-së ne jemi neutral. Sigurisht si opozitë dhe si subjekt politik do të shqyrtojmë edhe ligjin për zgjedhjen e prokurorit. Ligjet do të propozohen në Kuvend dhe të njëjtat do të hidhen në votim. Nëse është i pranueshëm për ne, ne do të votojmë PRO dhe kjo do të thotë se prokurori publik ka mbështetjen e shumicës parlamentare”, tha Zendeli.

Share





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Share