Për fitore

Shkëndija duket më e motivuar se kurrë para ndeshjes së parë të rrethit të dytë kualifikues të Europa Leagues.

Skuadra tetovare në rrethin e parë e eliminoi Daçian e Moldavisë pas rezultatit të përgjithshëm 7:0, duke i fituar të dyja përballjet, ndërsa tash e pret me optimizëm duelin me skuadrën finlandeze.

Kuqezinjtë janë të koncentruar maksimalisht për sfidat e radhës evropiane.

Në konferencën për shtyp zyrtare para takimit të sontëm, shefi i stafit teknik Qatip Osmani dhe kapiteni Ferhan Hasani kanë folur me respekt për ekipin finlandez, mirëpo me besim në kualitetin e vetë dhe paralajmërojnë luftë të madhe për rezultat pozitiv.

“Pas kualifikimit në këtë raund të garave të Europa Leagues ne e shfrytëzuam këtë periudhë për t’u përgatitur dhe për t’i përmirësuar gabimet që patëm kundër Daçias, edhe pse ishin të pakta, por sërish kishte gabime. Në këtë raund na pret skuadra e Helsinkit, e cila realisht është ekip më kualitativ se Daçia ashtu që ne maksimalisht seriozisht e presim këtë ndeshje dhe të enjten do të dalim për të nxjerrë rezultat pozitiv”, deklaroi shefi i stafit teknik.

Hasani: Helsinki i fortë, por duam fitore

Edhe Ferhan Hasani e ka shprehur mendimin e tij rreth ndeshjes së sontme, duke besuar në fitore nëse Shkëndija luan si në rrethin e parë kualifikues të këtij kompeticioni.

“Kemi përpara kundërshtar të fortë. Pas ndeshjeve që treguam në raundin e parë kundër Daçias edhe pse kishim rezultat të mirë, kjo nuk do të thotë se do ta kemi të lehtë në raundin e dytë, pasi kemi përballë kundërshtar të fortë. Mirëpo, nëse i përsërisim paraqitjet si në raundin e parë, me maksimumin e të gjithëve, mendoj se do të arrijmë rezultat pozitiv”, shprehet kapiteni.

“Kuqezinjtë” të mërkurën janë vendosur në Strumicë, ndërsa në orën 19:00 e kanë zhvilluar seancën stërvitore në stadiumin “Mlladost”.

Përballja Shkëndija – HJK Helsinki luhet sot në Strumicë, me fillim në orën 18:00, ndërsa ndeshja e kthimit pas një jave në kryeqytetin finlandez.

Tetovarët synojnë t’i përsërisin sukseset e sezonit të kaluar, kur e kishin shkruar historinë me arritjet në arenën ndërkombëtare.

Share





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Share