Lutfi Bilali flet për Lajm nga Finlanda:Ju tregoj shanset e Shkëndijës kundër Helsinkit, do të ketë shumë shqiptarë në stadium

Lutfi Bilali është nga futbollistët e rrallë shqiptar që luan në kampionatin e Finlandës. Ai luan për Hakën, tek e cila skuadër kaloi në fillim të sezonit të ri.

Sulmuesi nga Gostivari tregon për Lajm shanset e Shkëndijës në duelin e turit të dytë eliminator të Ligës së Europës me Helsinkin, skuadrën lidere në kampionatin finlandez.
Ai ishte gëzuar lajmit kur kishte kuptuar se Shkëndija do të vij në Finlandë.
„Me ju thënë të drejtën u gëzova ku kuptova shortin se Shkëndija do të përballet me Helsinkin. Së bashku me Bilal Velijajn, nëse kemi kohë dhe mundësi, do të shkojmë për të ndjekur takimin dhe të shihem me futbollistët“, e nis bisedën për Lajm, Bilali.

Ai thotë se Helsinki ka skuadër cilësore, e cila dominon në Finlandë.
„Helsinki ka një skuadër të mirë. Këtu në Finlandë ata dallojnë prej ekipeve të tjera. Së fundmi e kanë shitur sulmuesin më të mirë, i cili ishte lojtari më i rrezikshëm në ligë. Por mendoj se prapë kanë ekip i fortë, luajnë futboll ofensiv dhe mbrojtja e Shkëndijës duhet të jetë e kujdesshme. Sistemi i tyre i lojës është 4-3-3. Janë lider në kampionat, duke udhëhequr bindshëm. Pas 16 ndeshjeve kanë tubuar 35 pikë“, njofton Bilali.
Megjithatë, ai mendon se Shkëndija është në përparësi.
„Kujtoj se Shkëndija është në përparësi, pasi ka ecuri të mirë në Europë. Tash edhe me Dacin tregoi lojë të bukur. Ndaj HJK-së duhet të luaj në kundërsulme, pasi i kanë lojtarët e rrezikshëm. Shanset për kualifikim janë 60-40 për kuqezinjtë“, bën me dije sulmuesi i Hakës.

Bilali tregon se para disa javësh ka luajtur në stadiumin ku do të zhvillohet ndeshja.
„Po, kam luajtur në atë stadium kundër Gnistan, ekip nga ky qytet. Stadiumi ku luhet ndeshja është me bar artificial. Quhet Telia 5G Arena dhe ka kapacitet prej afër 11 mijë shikuesve“, tregon Bilali.
Ai thotë se në Finlandë ka nisur të flitet për ndeshjen HJK-Shkëndija.
„Po, tash në Finlandë po flitet për takimin, pastaj shokët e skuadrës më pyesin se cfarë ekipi është Shkëndija dhe kush mendoj se do të kualifikohet. Në Helsinki do të ketë shumë shqiptarë që do të ndjekin ndeshjen, edhe atë nga kosovarë që jetojnë në Finlandë. Shkëndija nuk do të jetë vetëm“, ka treguar Bilali./lajm

Share





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Share