Rama prezanton draftin e parë të platformës bashkëqeverisëse “Shqipëria që duam”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zgjedhur t’i urojë “mirëmëngjes” të gjithë ndjekësit e tij në rrjetin social “Facebook”, duke publikuar draftin e parë të platformës së bashkëqeverisjes nën moton “Me ty për Shqipërinë që duam”.

Në rubrikën e tij të përhershme, ku Rama uron mirëmëngjes dhe javë të mbarë ndjekësve te tij , këtë të hënë ai ka kërkuar sugjerimet mbi organizimin e platformës si dhe kritikat e qytetarëve.

“MIRËMËNGJES

dhe me këtë draft të parë të Platformës së Bashkëqeverisjes Me ty për Shqipërinë që duam, ku mirëpresim kritikat e sugjerimet tuaja për organizimin e platformës, ju uroj një javë të mbarë! http://shqiperiaqeduam.al/ “, shkruan Rama, transmeton ATSH.

Në faqen zyrtare të platformës “Shqipëria që duam” thuhet se kjo e fundit “është një platformë e hapur komunikimi e ndërveprimi me qytetarët që do të shërbejë për t’ju dëgjuar në kohë reale për çështje të aktualitetit politik e qeverisës; për të diskutuar me ju reforma e masa të rëndësishme dhe mundësuar ndikimin tuaj mbi politikat qeverisëse në çdo sektor e mbi punën e çdo ministrie apo institucioni të varësisë; për të luftuar së bashku korrupsionin, evidentuar tepsixhinjtë apo parazitët e çdo niveli, duke i goditur me zero tolerancë e nxitur zgjidhjen e ndershme të problemeve komunitare apo vetjake të kujtdo prej jush”.

Sipas platformës, thelbi i qeverisjes së re do të jetë në një koalicion real me njerëzit e zakonshëm.

“Shqipëria që duam është mbi të majtën e mbi të djathtën. Shteti që duam është i qytetarëve, jo i pushtetarëve. Sfidat e Shqipërisë sot, nuk janë sfida socialiste apo sfida demokrate, por janë sfida shqiptare. Të vetëdijshëm për barrën e madhe të përgjegjësisë që na u besua, qeveria e re do të bashkëqeverisë me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi në një përpjekje shqiptare, të përbashkët, për ta bërë Shqipërinë më të mirë”, thuhet në faqen zyrtare të platformës “Shqipëria që duam”.

Share





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Share