Milani “mat forcat” me Juven, Lazio pret Fioren, Interi për suksesin e radhës ndaj Sampit

Hera e fundit që të Juventusi dhe Milani duelonin për titullin kampion, ishte në sezonin 2011-2012 dhe që atëherë Seria A ka qenë nën diktatin e bardhezinjve, që triumfuan 9 herë radhazi, megjithatë këtë vit situata duket se ka ndryshuar.

Milani nuk humb në kampionat që prej marsit të kaluar dhe me një start perfekt të sezonit, ia ka dalë të ruajë vendin e parë me 37 pikë në 15 javët e para, ose plot 10 më tepër sesa Juventusi që është ende kampioni në fuqi.

Të dy skuadrat do të përballen mbrëmjen e sotme në “San Siro”, në një sfidë që përveç emrave në fushë, bëhet mjaft interesante edhe për pozitat në renditje, sidomos për Juventusin, që është 10 pikë larg kreut dhe një rezultat negativ në Milano do t’ia zbehte ndjeshëm pretendimet.

Të dy trajnerët përballen me problematika të shumta për ndeshjen e sotme, pasi Stefano Pioli do të duhet të bëjë llogaritë me mungesën e Zlatan Ibrahimovic dhe sidomos ato të Bennacer dhe Tonalit në mesin e fushës, ku sonte do të detyrohet t’i besojë boshnjakut Krunic, që nuk ofron shumë garanci.

Nga ana tjetër Pirlo nuk ka probleme me dëmtimet, pasi ka rikuperuar thuajse të gjithë futbollistët, por Alex Sandro dhe Juan Cuadrado kanë rezultuar të prekur nga koronavirusi dhe nuk mund të udhëtojnë me skuadrën, ndërsa tekniku bardhezi pret me padurim edhe rezultatet e tamponëve të fundit, duke “kryqëzuar gishtat” që të mos ketë të prekur të tjerë.

Pikërisht nga rezultatet e tamponëve varet edhe fati i takimit të sotëm, pasi mediat italiane raportojnë se në rast të të prekurve të tjerë në kampin e Juventusit, Zyra Shëndetësore Lokale e Torinos mund të urdhërojë izolimin e skuadrës.

Megjithatë kampionati italian do të vijë sot në ekranin e Supersport me thuajse të gjitha ndeshjet e javës së 16, duke startuar që në orën 12:30, kur Cagliari të përballet me Beneventon në Sardenjë me synimin e vetëm tre pikët, pasi vetëm tri ditë më parë humbi po në shtëpi ndaj Napolit.

Në orën 15:00 do të vijnë takime mjaft interesante si Lazio-Fiorentina, Crotone-Roma, Atalanta-Parma e Sassuolo-Genoa, ndërsa vëmendja do të jetë në sfidën Sampdoria-Inter, ku zikaltrit do të provojnë edhe një herë parakalimin e Milanit, duke përfituar nga sfida e vështirë e kuqezinjve.

Me 8 fitore radhazi, skuadra e Contes mban vendin e dytë me 36 pikë, një më pak se Milani, por në javët e ardhshme e pret një kalendar “bombë” me transfertën ndaj Romës dhe përballjen me Juven në “San Siro”, ndaj sot duhet të regjistrojnë suksesin e radhës ndaj Sampit.

Në orën 18:00 Lazio do të presë Spezian në stadiumin “Diego Armando Maradona”, për të marrë 3-pikëshin e radhës dhe për t’u rikthyer plotësisht në garën për titullin kampion, pasi në 5 javët e fundit kanë grumbulluar vetëm 7 pikë dhe nuk kanë luksin të gabojnë ende./ss

Share

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Share
%d bloggers like this: