Sonte çerekfinalet e para në Europa League

Edicioni i 11-të i Europa League-s bëhet gati për të hyrë në fazën më të bukur dhe më të rëndësishme, me tetë skuadrat më të mira të këtij sezoni që do të rivalizojnë ndërmjet tyre në Gjermani, për të përcaktuar edhe emrin e klubit që do të fitojë edicionin e 49-të të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm në Kontinentin e Vjetër. Një edicion tepër i veçantë që ndoshta do të mbahet mend gjatë edhe për shkak të ndërprerjes së pazakontë të Koronavirusit dhe influencës së madhe që pati virusi COVID-19 gjatë këtij sezoni në Kupat e Evropës.

Drejtuesit e UEFA-s i dhanë privilegjin për të zhvilluar fazën përmbyllëse pikërisht vendit teuton, që do të presë pjesën e mbetur të sezonit në Europa League, nëpërmjet një formati të ri, të pagëzuar “final eight”. Krerët e qeverisë evropiane të futbollit përzgjodhën katër qytete në Gjermani si Këln, Dyseldorf, Gelsenkirshen dhe Duisburg për të plotësuar edhe kuadrin e plotë të shtatë sfidave të fundit. Ndeshjet e fazës çerekfinale janë ndarë në dy ditë të veçanta dhe në ditën e parë do të zbresin në fushë dy ekipe si Manchester United dhe Inter i Milanos, që konsiderohen edhe si klubet favoritë për të triumfuar në edicionin e sivjetshëm.

Zikaltërit do të matin forcat me Bayer Leverkuzenin, në një ndër ndeshjet më të forta të fazës çerekfinale. Ekipi i drejtuar nga trajneri Antonio Conte me të drejtë konsiderohet si një ndër ekipet më në formë, duke patur parasysh që Interi pas rifillimit të sezonit ka humbur vetëm 1 nga 15 takimet e fundit. Mbi të gjitha trajneri puljez ka përforcuar ndjeshëm mbrojtjen, pasi 6 nga 7 ndeshjet e fundit zikaltrit i kanë mbyllur pa pësuar as gol. Mbetet pengu i humbjes së titullit në Serinë A, duke patur parasysh që bardhezinjtë ia dolën sërish mbanë për të mbrojtur me sukses titullin në Apenine.

Një vend i dytë në Serinë A pas klubit që po dominon futbollin italian deri diku mund të justifikojë sezoni, sidoqoftë skuadra tani i ka të gjitha mundësitë për të sulmuar një trofe të rëndësishëm evropian, të cilin Interi e ka fituar plot 3 herë në historinë e klubit. Klubi i mirënjohur lombard ia doli ta fitonte 3 herë në vitet ‘90 Kupën UEFA, ndërsa në vitin 1997 zikaltrit e humbën këtë trofe brenda në “San Siro” në sfidën me Shalken, pas gjuajtjes së 11-metërshave.

Si Interi ashtu edhe Leverkuzeni janë pozicionuar në pjesën e psohtme të shortit. Ekipi i Contes, pasi eliminoi me lehtësi klubin bullgar Ludogorets, kaloi jo pa vështirësi Getafe-n në raundin e 1/8. Krejt ndryshe nga ç’tregon rezultati skuadra vuajti ndjeshëm në takimin me Getafen. Romelu Lukaku dhe Christian Eriksen shënuan nga një gol për çdo pjesë, por çerek ore para fundit kapiteni i Getafes, sulmuesi veteran Jorge Molina shpërdoroi nga pika e bardhë mundësinë për të barazuar rezultatin.

Nëse Interi mund të thuhet se është ambientuar shpejt me Gjermaninë, duke patur parasysh që takimi me Getafen u zhvillua me tek ndeshje në fushë asnjanëse në “Veltins Arena”, ekipi i Bayerit në krahun tjetër do të ketë pa dyshim avantazhin e faktorit fushë, pasi ndeshja do të luhet në orën 21:00, në “Merkur Spiel – Arena”, në qytetin e Dyseldorfit.

Ndryshe nga Interi ekipi i Leverkuzenit u shfaq plot luhatje pas rikthimit nga pandemia e Koronavirusit, gjë që la pasoja dhe për rrjedhojë ekipi i drejtuar nga trajneri holandez Peter Bosz mbeti përfundimisht jashtë zonës Champions. 32 vjet më parë në “Ulrich – Haberland – Stadion” Bayeri përmbysi disavantazhin 3-0 ndaj Espanyolit, për të fituar Kupën UEFA pas gjuajtjes së penalltive, sidoqoftë klubi nga Westfalia do të mbrojë nderin e futbollit teuton në këtë edicion, si përfaqësuesi i vetëm i Gjermanisë i mbetur ende në këtë aktivitet.

“Aspirinat” kanë patur një rrugëtim të thjeshtë pavarësisht shortit jo edhe aq të lehtë dhe klubi nga Ruhri i ka fituar që të gjitha ndeshjet në dispozicion me Porton dhe Rangersin në fazën e “knock out”-it. Në fundin e këtij edicioni do të largohet “ylli” i ekipit Kai Havertz, ndërsa sa i përket takimit trajneri holandez nuk do të ketë të gatshëm treshen Paulinho – Aranguiz – Amiri, ndërkohë në krahun tjetër Conte nuk ka në dispozicion dyshen Vecino – Sensi.

Kjo është përballja e tretë ndërmjet Interit dhe Leverkuzenit në historinë e Kupave të Evropës dhe vlen të kujtohet fakti që në sezonin 2002-03 në fazën e dytë të grupeve zikaltrit i fituan që të dy takimet me shifrat 3-2 në Milano dhe 2-0 brenda në Leverkusen.

Shumë më të thjeshtë pritet ta ketë në takimin tjetër Manchester United, që do të përballet po në të njëjtën orë me Kopenhagenin në Qytetin e Këlnit, në “RheinEnergieStadion” pra pikërisht stadiumin edhe ku do të zhvillohet finalja e madhe e këtij edicioni në Europa League.

Dy klubet kanë diferenca stratosferike, për më tepër klubi kryeqytetas humbi titullin në kampionatin danez, kundrejt Midtjyllandit,  ndërsa “red devils” rikuperuan disavantazhin e plot 14 pikëve me Leicester City-n në Premier League, për të flakur jashtë zonës Champions pikërisht “dhelprat”, që pozicionoheshin aty që në gushtin e vitit të kaluar.

Merita për këtë i takon pa dyshim mesfushorit portugez Bruno Fernandes, që në këtë sezon ka kontribuar me 6 gola dhe 4 asist për “djajtë e kuq” dhe “luanët” e Sportingut të Lisbonës. Për të mbërritur deri këtu klubi danez ka eliminuar me radhë Celticun dhe Basaksehirin, ndërsa ekipi i drejtuar nga trajneri norvegjez Ole Gunnar Solskjaer ka kaluar Klub Bryzhin dhe LASK-un e Linzit. Solskjaer nuk ka probleme me formacionin, përveç mbrojtësit të majtë Luke Shaw.

Fituesi i këtij çifti do të përballet në vazhdim në Dyseldorf me klubin që kualifikohet nga takimi tjetër Wolverhampton – Sevilla. Kjo është përballja e tretë ndërmjet dy klubeve. Në sezonin 2006-07 në fazën e grupeve në Champions League United fillimisht triumfoi 3-0 brenda në “Old Trafford”, megjithatë vlen të kujtohet gjithashtu edhe fitorja e bujshme 1-0 që trajneri aktual norvegjez Stale Solbakken siguroi asokohe në takimin e luajtur në kryeqytetin danez, ndaj formacionit të drejtuar nga trajneri legjendar i “djajve të kuq” Alex Ferguson.

Share

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*
*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Share
%d bloggers like this: