Vdes një 23 vjeçar nga Gostivari në burgun e Shutkës

I burgosuri nga burgu hetues që ka vdekur sot ka qenë i varur nga droga dhe nuk ka pasur shenja të KOVID-19.

Siç tha drejtori i Shtëpisë shëndetësore – Shkup, Viktor Isjanovski në emisionin e sontëm në “Top tema”, bëhet fjalë për një të ri të cilit i është caktuar edhe terapia për shkak të varësisë nga droga, ndërsa vdekja i është konstatuar pasdite, rreth orës 14:30.

“Në bisedë me mjekun e burgut të Shutkës më thanë se personi nuk ka treguar kurrfarë shenja të Kovid-19. Gjatë ditës së sotme, gjatë kontrollit të fundit në orën 14:00 nuk është ankuar, madje ka qenë edhe i gëzuar. Pastaj ka shkuar për pushim të pasdites dhe nga shërbimet e burgut është konstatuar se ka vdekur. Është thirrur Ndihma e shpejtë e cila gjithashtu e ka konstatuar vdekjen, ndërsa trupi i të vdekurit është dërguar në Institutin për mjekësi gjyqësore. Nga të dhënat që i kam, bëhet fjalë për person të varur, kryesisht nga kokaina. Ka pasur takim me psikiatrin në fund të muajit shkurt dhe i është caktuar terapia. Këto janë të gjitha informatat që tani për tani i kemi. Unë mendoj se nuk bëhet fjalë për KOVID-19, por për diçka tjetër”, theksoi Isjanovski.

Sipas drejtorit të Qendrës për shëndet publik, Arben Ziberi, tani për tani mostër nga i burgosuri i vdekur nuk është marrë.

“Nuk është vepruar nga ekipet e Qendrës për shëndet publik, por me siguri do të merret mostër gjatë autopsisë në Mjekësinë gjyqësore, ndërsa do të dërgohet edhe për hulumtim në Institutin për shëndet publik”, theksoi Ziberi.

Ziberi përmendi se deri tani, nga fillimi i pandemisë, gati të gjitha 3.000 mostrat në Shkup janë marrë nga ana e Qendrës për shëndet publik, duke e përfshirë edhe rastin e parë të të vdekurit në burgun e Shutkës.

Share

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Share