Shqipëri, u rrit në 104 numri i rasteve me koronavirus

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se me konfirmimin e 15 rasteve të reja, numri i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19) në Shqipëri është rritur në 104, përfshirë edhe 4 personat që kanë ndërruar jetë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit zyrtar të ministrisë, në komunikimin e perditshëm për publikun ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, konfirmoi se harta e prekjes nga koronavirusi është zgjeruar.

“Vetëm në 24 orët e fundit janë konfirmuar 15 raste të reja pozitive, në 45 testime të kryera. Harta e të prekurve nga COVID-19 shtrihet tashmë edhe në Vlorë, Shkodër dhe zgjerohet në Tiranë, Durrës, përveç rasteve të zbuluara për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik, si Lushnja, Kavaja, Fieri, Rrogozhina ku po punohet pa u ndalur nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e transmetimit të infeksionit”, është shprehur Manastirliu.

Institucionet shëndetësore në vend kanë njoftuar se në total janë testuar 856 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuara 104 raste pozitive me COVID-19.

Sa i përket shpërndarjes gjeografike të rasteve pozitive, 68 janë në Tiranë, 12 në Fier, 7 në Durrës, 4 në Vlorë, nga 3 në Kavajë dhe Korçë, nga 2 në Lushnje, Elbasan dhe Rrogozhinë dhe 1 rast në Shkodër.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka konfirmuar se 4 qytetarë kanë humbur jetën, të prekur me COVID-19, ndërsa janë shëruar 5 pacientë.

Institucionet në Shqipëri kanë marrë masa të shumta kundër përhapjes së koronavirusit të ri, ku përveç mbylljes së institucioneve arsimore, është vendosur edhe ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve me disa vende, pezullimi i transportit urban dhe i qarkullimit të automjeteve private, pezullimi i aktiviteteve futbollistike dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.

Që nga shpërthimi në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar, sëmundja, e njohur si COVID-19, ka shkaktuar mijëra të vdekur në mbarë globin. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur sëmundjen pandemi globale.

Share

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Share