Prej tre komunave shqiptare, Gostivari ka investuar më shumë për problemin me qentë endacak

Gazetari i Portalb.mk bëri një hulumtim për atë se si trajtohet problemi me qentë endacak në Gostivar, Dibër dhe Tetovë. Rezultoi se prej tre komunave, hapa më efikase ka ndërmarrë Komuna e Gostivarit. Marrë parasysh numrin e banorëve dhe problemit të theksuar me qentë endacak, mjetet e ndara për këtë çështje nga Komuna e Dibrës dhe Tetovës janë të pamjaftueshme, shkruan Portalb.mk.

Prania e qenve endacak në çdo cep të qyteteve të rajonit të Pollogut, jo rrallë here ka paraqitur problem për qytetarët, madje ka pasur raste kur këta qen kanë kafshuar kalimtarë duke i lënë me pasoja shëndetësore.

Të tre komunat kanë ndarë mjete të caktuara për zgjidhjen e kësaj problematike, po sa e kanë marrë seriozisht problemin, flasin vetë numrat dhe arritjet deri sot.

  • Gostivari

Nga fillimi i mandatit të Arben Taravarit deri më sot, në Komunën e Gostivarit janë ndërmarrë hapa më serioze për zgjidhjen e kësaj problematike, e cila ka qenë shqetësim për qytetarët e këtij qyteti, tash disa dekada me radhë.

63.414 euro janë ndarë nga kjo komunë për trajtimin e qenve endacak, për vitin 2018 dhe 2019. Për vitin 2020 janë të planifikuara 19.512 euro.
Në Gostivar janë hapur dy qendra për strehimin e qenve endacak. Njëra nga komuna, kurse tjetra përmes projektit “Më ofro strehë për shpëtim” financuar nga Programi Rajonal në Ballkanin Perëndimor ReLOaD (financim i BE-së në bashkëpunim me komunën, implementuar nga UNDP), strehimore kjo që menaxhohet nga organizata joqeveritare “IGI”.

Dy stacionet e lartpërmendur, kanë kapacitet për strehimin e 100 qenve të pastrehë.

Për dy vite, janë operuar rreth 400 qen të cilët tani më nuk përbëjnë dëm për banorët e këtij qyteti.

Komuna e Gostivarit ka dhe furgon të specializuar për bartjen e qenve endacak, donacion nga Rajoni Planor i Pollogut, në bashkëpunim me UNDP.

  • Tetova

Banorët e Komunës së Tetovës me dekada ankohen dhe kërkojnë zgjidhje për qentë e pastrehë. Megjithatë, edhe pse ky është viti i 6 i qeverisjes së kryetares Teuta Arifi, hapat që janë ndërmarrë për zgjidhjen e kësaj problematike lënë për të dëshiruar.

Nga buxheti i Komunës së Tetovës,19.512 euro janë ndarë nga kjo komunë për trajtimin e qenve endacak, për vitin 2018 dhe 2019. Këto para, sipas pronarit të klinikës veterinare në Tetovë, “Dog&Cat” kanë shkuar për vaksinim, vendosjen e mikroçipit, lesh-manisë, operacion, vathi që ju vendoset qenve te veshi si dhe për qëndrim në strehimore për 5 deri në 7 ditë pas operacionit, ku si rezultat janë trajtuar 120 qen.

Për vitin 2020 janë të planifikuara 48,780 euro.

Nga Komuna e Tetovës na thanë se kanë ndërtuar strehimore me kapacitet për 20 qen të pastrehë.

  • Dibra
Qentë endacak në Dibër, foto e siguruar nga interneti.
Qentë endacak në Dibër, foto e siguruar nga interneti.

Në bisedë me disa banorë të Dibrës, gazetari i Portalb.mk mësoi se banorët e këtij qyteti gjithashtu ndjehen shumë të rrezikuar nga qentë e pastrehë, sipas të cilëve dita e ditës shtohen edhe nuk ndërmerret asgjë për parandalimin këtij fenomeni.

Nga buxheti i Komunës së Dibrës për këtë çështje për dy vitet e kaluara nuk janë ndarë para. Ndërkaq, për vitin 2020 janë të planifikuara 19.512 euro.

Ndryshe, mossigurimi i strehës për qentë e rrugës është problematikë që prek shumë qytete të Maqedonisë së Veriut, edhe pse shpesh here kanë reaguar shoqatat për mbrojtjen e kafshëve, nga Qeveria aktuale nuk është ndërmarrë asnjë masë për këtë problematikë e cila nuk i tangon vetëm dy apo tre komuna, por thuajse të gjitha komunat në nivel shteti.

Ambulanta e cila ka fituar të gjithë tenderët për zgjidhjen e këtij problemi, në Tetovë, Gostivar dhe Dibër.
Ambulanta e cila ka fituar të gjithë tenderët për zgjidhjen e këtij problemi, në Tetovë, Gostivar dhe Dibër.

Rami Selmani nga ambulanta “Dog&Cat”, i cili ka fituar të gjithë tenderët për trajtimin e qenve endacak në Komunën e Tetovës, Gostivarit dhe Dibrës për Portalb.mk u shpreh pesimist se kjo problematikë mund të zgjidhet, marrë parasysh vullnetin e deritanishëm të kompetentëve, që sipas tij nuk është në nivel që duhet të jetë një i interesuar për zgjidhje.

“Ne punojmë në të gjitha komunat me aq mjete financiare sa na jepet. Nga Komuna e Tetovës konkretisht shumat e ndara për zgjidhjen e kësaj problematike janë shumë të vogla, në qoftë se seriozisht dëshirojnë të evitojnë këtë problematikë, duhet t’i trefishojnë mjetet, në mënyrë që edhe ne të mundemi të punojmë. Vlen të ceket se e vetmja komunë që deri tani po merret seriozisht me këtë dhe ka sukses, është Komuna e Gostivarit” tha Rami Selmani, pronar i “Dog&Cat” me seli në Tetovë./portalb

Share

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Share