ASH: Qeveria rrëndon biznesin, sërish ka rritur normat e kontributeve për paga

Në vend të mbështetjes reale ndaj sektorit privat dhe transparencës ndaj qytetarëve për mbi 21 milionë euro që u inkasuan gjatë vitit 2019 si rezultat i rritjes për 0,4% për sigurimin e obligueshëm pensional invalidor, ndërsa për 0,1% për sigurimin e obligueshëm shëndetësor, qeveria bën rritjen e radhës të po të njëjtave duke goditur sektorin privat dhe duke lënë qytetarët edhe më tej pa përmirësim të shërbimeve shëndetësore edhe pse kontributet për shëndetësi u rritën.

Ashtu sikur para një viti, edhe ky fillim viti erdhi me tjera ndërhyrje të ligjit për kontribute dhe për sigurim të obligueshëm shoqëror që starton tani në janar të vitit 2020, të cilat ndryshime përfshijnë sërish:

1. Rritjen e kontributeve të obligueshme për sigurimin pensional invalidor nga 18,4% në 18,8% .

2. Rritjen e kontributeve për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor nga 7,4% në 7,5%.

Bazuar në diferencën e re të kontributeve, në rrogën mesatare (bruto) që në tetor të 2019 ishte 38.227,00 den. dhe numrin e të punësuarve që në tremujorin e tretë të 2019 është 799 546 të punësuar, të hyrat në fondin pensional invalidor e shëndetësor, nga diferenca e re e rritjes së kontributeve vetëm për një muaj pritet të jenë më të larta për 2 487 187 euro, ndërsa për gjithë vitin 2020 të hyrat vetëm nga diferenca e rritur do të jenë 29 846 244 euro.

Duke parë që rritjet e mëhershme të kontributeve në 2019-tën nuk sollën përmirësim të shërbimeve shëndetësore dhe mirëqenie të pensionistëve vlerësojmë se ngritja e kontributeve vetëm se e dëmton dhe dobëson sektorin privat i cili edhe ashtu është pa fuqi dhe mbështetje reale për të dhënë impakt mbi zhvillimin ekonomik të vendit. Prandaj është e natyrshme të shtrohet pyetja:

Për çfarë shërben rritja e re e kontributeve nëse ajo nuk reflekton mbi standardin jetësor të qytetarëve?

Nga Aleanca për Shqiptarët vlerësohet se nevoja për përmirësim të shërbimeve shëndetësore është urgjente sikurse edhe rritja e pensioneve, por kjo nuk duhet të jetë assesi marrje nga njëra dorë për të dhënë në dorën tjetër të qytetarit.

Departamenti i ekonomisë, Aleanca për Shqiptarët

Share

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Share