Lazio “përmbys” Brescian me golat e Immobiles

Dekada e re e futbollit italian nisi me një gol mjaft të bukur të Mario Balotellit, shënuar në portën e gardianit të Lazios, Thomas Strakosha, por bardhekaltrit e vazhduan aty ku mbyllën 2019-ën, me një tjetër fitore, që ishte e nënta radhazi në kampionat.

Vazhdon të mahnitë Lazio, që e mbylli vitin 2019 me 8 fitore radhazi në kampionat dhe sot përmbysi Brescian me rezultatin 1-2 në “Rigamonti”, duke u afruar edhe më shumë me Interin e Juventusin, që janë në krye të renditjes.

Takimi nisi mjaft mirë për të besuarit e Simone Inzaghit, që morën kontrollin e lojës dhe krijuan disa mundësi shënimi, por golin e parë të vitit dhe të dekadës së re e shënoi pikërisht Mario Balotelli, që pasi u lirua bukur në zonë, mposhti me lehtësi portierin Strakosha.

Në minutën e 40’ arbitri i takimit akordoi një 11-metërsh për Lazion dhe kartonin e dytë të verdhë për mbrojtësin e Brescias Cistana, që ndali me faull sulmuesin Caicedo, në momentin që ky i fundit po bëhej gati të godasë brenda zonës.

Penalltinë e mori përsipër Ciro Immobile, që gjuajti saktë dhe riktheu baraspeshën, ndërsa me barazimin 1-1 u mbyll edhe 45-minutëshi i parë i sfidës. Pjesa e dytë nisi sërish me Lazion protagoniste, që shihte vazhdimisht nga porta kundërshtare, ndërsa Brescia mbrohej fort dhe tentonte befasinë me anë të kundërsulmeve.

Megjithatë për të parë golin e fitores së bardhekaltërve, do të duhej të vinin minutat shtesë, kur pas një topi të gjatë në zonë, Caicedo shërbeu saktë për Immobilen dhe sulmuesi italian nuk fali duke shënuar golin e dytë personal në këtë takim dhe të 19 sezonal.

Me këtë fitore Lazio u ngjit në kuotën e 39 pikëve pas 17 ndeshjesh, ndërsa më mirë se skuadra e Simone Inzaghit kanë bërë vetëm Inter dhe Juventus, që kanë arritur të grumbullojnë 42 pikë pas po kaq ndeshjesh.

Share

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Share