Si u bë Facebook, “shtëpia” e psikopatëve

Thënia e vjetër “kujdes se çfarë kërkon” të vjen menjëherë në mendje. Pak kohë më parë, Facebook filloi Facebook Live, një shërbim që u mundëson përdoruesve të transmetojnë video të drejtpërdrejta para botës. Menjëherë pasi u aktivizua shërbimi, themeluesi dhe CEO i kompanisë, Mark Zuckerberg, tha se ai do të mbështeste të gjitha mënyrat “personale dhe emocionale dhe të papërpunuara” me të cilat njerëzit komunikojnë. Përdoruesit u inkurajuan të “shfaqeshin live” në mjedise të rastësishme – duke pritur bagazhin në aeroport, për shembull, ose duke ngrënë në një restorant.

Vini re frazën “të papërpunuara”. Facebook Live ka transmetuar tashmë live momentet kur një burrë me aftësi të kufizuara lidhet, rrihet dhe pritet me thikë. Në mars, dyadoleshentë në Chicago u shfaqën live duke përdhunuar një adoleshente. Dhe afro 40 përdorues të Facebook e panë videon, pa e raportuar tek Facebook apo policia.

Me sa duket ishte vetëm preludi. Të dielën në mëngjes, Robert Goduin, një 74-vjeçar po ecte në rrugë në Cleveland, Ohio, duke parë punën e vet. Atij iu afrua një 37-vjeçar me emrin Steve Stephens, që i kërkoi të thoshte emrin “Joy Lane”. Goduin e tha, dhe pas kësaj Stephens e qëlloi për vdekje. Stephens hodhi më pas tre video në Facebook, mes orës 11.09 dhe 11.22. Në të parën, shpallte qëllimin e tij për të kryer vrasje. Dy minuta më vonë, hodhi në Facebook një filmim të vrasjes. më pas në 11.22 doli “live” në Facebook duke u rrëfyer. Facebook e mori raportin e parë për vrasjen në orën 12.59 dhe e çaktivizoi llogarinë e Stephens 23 minuta më vonë. Joy Lane ishte emri i të dashurës së tij, me të cilën kish patur vështirësi kohët e fundit.

Facebook, natyrisht, është i tmerruar nga e gjithë kjo. “Ky është një krim i tmerrshëm dhe ne nuk lejojmë këtë lloj përmbajtjeje në Facebook,” tha një zëdhënëse në një deklaratë të dërguar në Uashington Post. “Ne punojmë shumë për të mbajtur një mjedis të sigurt në Facebook dhe jemi në kontakt me organet e zbatimit të ligjit në raste emergjencash, kur ka kërcënime të drejtpërdrejta për sigurinë fizike”.

Dakord. Por çfarë është kjo? Kompania ka një blog zyrtar të dedikuar për Facebook Live. “Që nga dalja e Facebook Live,” thotë artikulli në 18 prill – domethënë dy ditë pas vrasjes së Goduin – “kemi parë njerëz dhe botues anembanë botës që shfrytëzojnë mundësinë për të ndarë përvojat e tyre, teksa ato ndodhin, sidomos gjatë momenteve të rëndësishme kulturore. Ne kemi qenë të frymëzuar nga kreativiteti që kemi parë”.

Pra, po shohim shfaqjen e një modeli: një përqindje e vogël e përdoruesve të Facebook (dhe duke qenë se janë 2 miliardë tillë, ky është një numër i konsiderueshëm njerëzish) janë psikopatë, sociopatë ose të çmendur. Disa gëzojnë duke shkaktuar dhimbje ndaj të tjerëve dhe – më keq – transmetojnë veprimet e tyre për sytë e botës. Deri kohët e fundit, kjo dëshira e fundit ka qenë e vështirë për t’u plotësuar. Por tani teknologjia digjitale, në formën e aplikacioneve të tilla si Periscope dhe shërbime të tilla si Facebook Live, u ka ardhur në ndihmë. Mendojeni si kanali “Psikopatët jemi ne”.

Çdo kompani normale që do të kishte një produkt tnë gjendje për të prodhuar rezultate të tilla toksike, do ta mbyllte. Por Facebook nuk është një kompani normale: nuk i bën paratë e veta nga shitja e gjërave për ne, por nga analiza e veprimeve tona dixhitale, pëlqimeve dhe klikimeve, dhe fiton duke ua shitur ato të dhëna reklamuesve, të cilët shpresojnë që reklamat e tyre në këtë mënyrë mund të shënjestrohen më saktë.

Duket se Facebook mund të kërkojë më shumë para, për reklama që vendosen në video, kështu që shërbimi Live sjell më shumë fitime. Duke pasur parasysh këtë, problemet e PR që vjen nga abuzimet me shërbimin nga psikopatët, është thjesht kostoja e të bërit biznes. Përveç kësaj, a nuk do të ishte gabim të lejonim disa të marrë, që të frenonin kreativitetin e njerëzve që dëshirojnë të “ndajnë përvojat e tyre ashtu si ato ndodhin, veçanërisht gjatë momenteve të rëndësishme kulturore”?

“E gjithë jeta njerëzore është aty”, ka qenë dikur një slogan i “News of the World”, tashmë e mbyllur. Nuk ishte asnjëherë e vërtetë për atë organ. Por është e vërtetë për internetin, dhe këtë po mësojmë; jo vetëm nga Facebook Live, por nga media sociale në përgjithësi. Duket sikur Interneti mban një pasqyrë për natyrën njerëzore. Shumë prej atyre që shohim të reflektohen janë banale dhe të parashikueshme, por disa prej gjërave që na thotë për veten tonë janë ashtu si vrasja e Goduin, thellësisht shqetësuese.

Ndoshta kjo është arsyeja përse Facebook mendon që ne nuk duhet të vrasim korrierin. Eshtë një variant i argumentit të Shoqatës Kombëtare të Pushkatarëve: armët nuk vrasin njerëz – janë njerëzit që vrasin njerëz. Dhe është një gjepur.

Share





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Share