Maqedonisë i duhen 100 vite të arrijë mesataren e vendeve të zhvilluara

Me krizën ekonomike dhe situatën e paqartë politike, shpresat që një ditë qytetarët e Maqedonisë së Veriut të kenë të ardhura sa vendet më të zhvilluara të grupit G7 (Kanada, Francë, Gjermani, Itali, Japoni, Mbretëri e Bashkuar dhe SHBA) sa vijnë e po bëhen më të largëta. Sipas grafikëve të publikuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në raportin e fundit të Tranzicionit 2019-2020, Maqedonisë së Veriut i duhen 100 vite që të kapin mesataren e tyre në të ashtuquajturin proces të zhvillimit, shkruan gazeta Koha.Ky proces nënkupton që vendet me të ardhura të ulëta, rriten më shpejt se ato të zhvilluara, në mënyrë që të kapin këto të fundit për nga standardet e jetesës. Nga rreth 35-40 vjet që shpresohej më parë se do të na duhej që të kishim të ardhura dinjitoze, tashmë kjo periudhë gati është trefishuar.
Por, BERZH thekson se nëse do të kishim një qeverisje më të mirë, zhvillimi dhe të ardhurat për qytetarët e Maqedonisë së Veriut mund të ndodhte në gjysmën e kohës, pra në pak më shumë se 50 vjet. Sot, qytetarët kanë të ardhura më pak se 30% e mesatares së vendeve të zhvilluara (G7), e matur sipas barazisë së fuqisë blerëse, tregon një tjetër grafik i BERZH, duke u renditur ndër të fundit në rajon dhe ndër të fundit në Europë, me përjashtim të vendeve të ish Bashkimit Sovjetik, Kosovës dhe Tunizisë.
Dhe nëse do të na duhet të ngushëllohemi, nuk jemi vetëm ne. Të gjithë rajonit do t’i duhet më shumë kohë. Kosovës do t’i duhen pothuajse sa ne, Bosnjës rreth 90 vjet, Serbisë rreth 100 vite, ndërsa Shqipërisë 80 vjet. Me ritme më të shpejta pritet të ecë Mali i Zi, që tashmë do t’i nevojiten më pak se 70 vjet të arrijë mesataren e vendeve të zhvilluara. BERZH thotë se për gjithë rajonin e saj, rritja është ngadalësuar ndjeshëm në 2008-2018, në krahasim me periudhën e para krizës së 2008. Të ardhurat në pjesën më të madhe të ekonomive ku BERZH investon mbeten shumë poshtë niveleve të vërejtura në ekonomitë e përparuara. BPV për frymë, sipas barazisë e fuqisë blerëse, është akoma më pak se 60 për qind e niveleve të G7 në tre të katërtat e rajoneve të BERZH-it. Në të vërtetë, në disa vende mbetet më pak se një e dhjeta e mesatares së G7.

Share

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Share