Kroacia bindshëm ndaj Sllovakisë

Janë zhvilluar ndeshjet e radhës të fazës kualifikuese për Euro 2020. Gjithë vëmendja ka qenë në super sfidën e Grupit C që është zhvilluar mes Gjermanisë dhe Holandës, me këtë të fundit që ka arritur të marrë një fitore me përmbysje të rezultatit.

Pasi pjesa e parë është mbyllur 1-0 në favor të vendasve, situata është përmbysur në 45 minutat e dyta, me lojtarët e Koeman që kanë shënuar katër gola.

De Jong ka barazuar rezultatin në minutën e 59-të, duke realizuar golin e tij të parë me përfaqësuesen, para se autogoli i Tah t’i dhuronte epërsinë mysafirëve. Një epërsi që ka zgjatur pak pas penalltisë së transformuar në gol nga Kroos.

Gjithsesi, Holanda nuk është dorëzuar dhe ka kompletuar “pokerin” me Malen (79′) dhe Wijnaldum (91′). Kjo fitore i ka çuar holandezët në kuotën e 6 pikëve, 3 larg gjermanëve të vendit të dytë dhe gjashtë larg kryesuesve të Irlandës së Veriut. Të dy ekipet e fundit kanë një ndeshje më shumë se holandezët.

Grupi E

Kroacia ka marrë një fitore të rëndësishme në fushën e Sllovakisë. Skuadra e trajnerit Dalic, në fakt, ka mposhtur Milan Skriniar me shokë me rezultatin 4-0 falë golave të Vlasic (45′), Perisic (47′), Petkovic (72′) dhe Lovren (89′). Një rezultat ky që i ndihmon kroatët të shkojnë në vendin e dytë me 9 pikë, ndërsa Sllovakia ka zbritur në vendin e katërt dhe është tri pikë larg kreut.

Vendi i tretë në grup mbahet nga Uellsi, që ka marrë një fitore të vuajtur sot 2-1 në shtëpi kundër Azerbajxhanit. Heroi i takimit ka qenë ylli i Real Madrid, Gareth Bale, i cili ka realizuar golin e fitores në minutën e 84-t me një goditje me kokë.

Grupi I

Belgjika ka bërë detyrën kundër San Mairnos, duke marrë një fitore të pastër 4-0. Batshuayi (43′, pen, 92′), Mertens (57′) dhe Chadli (63′) kanë shënuar për belgët, që kryesojnë grupin me 15 pikë pas pesë ndeshjeve. Në vendin e dytë, tri pikë larg është Rusia, që ka mposhtur 2-1 Skocinë në udhëtim.

Grupi G

Polonia ka pësuar humbjen e parë në grup pasi është mundur 2-0 në fushën e Sllovenisë. Tjetër paraqitje zhgënjyese për sulmuesin e Milanit, Piatek, i cili nuk po arrin të zhbllokohet në këtë sezon. Strunal (35′) dhe Sporar (65′) kanë qenë autorët e golave për vendasit, që janë ngjitur në vendin e tretë të renditje, duke shkuar vetëm katër pikë larg kreut, që mbahet nga polakët me 12 pikë.

Në vendin e dytë të këtij grupi është Austria, që ka mposhtur me rezultatin e thellë 6-0 Letoninë në shtëpi. Protagonisti i ndeshjes ka qenë ish-sulmuesi i Interit, Arnautovic, i cili ka realizuar dy nga gjashtë golat.

Share

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Share