Main Menu

Rabiot prezantohet tek Juventusi: Zgjodha “Zonjën” sepse ma rekomandoi Bufoni

Një nga lëvizjet më të bujshme të merkatos së verës ndodhi pikërisht dje, pasi Juventusi reklamoi me të madhe afrimin e mesfushorit francez Adrien Rabiot. Ishte një lëvizje e shpejtë e “Zonjës së Vjetër” italiane, e cila vjen në përputhje dhe harmoni me projektin e klubit për të mbajtur në nivel të lartë prezantimi skuadrën bardhezi jo vetëm në brendi të kampionatit italian, por edhe në performancën e vet në UEFA Champions League. Padyshim që ardhja dhe prezantimi i Rabiot nuk shënojnë fundin e merkatos, pasi Juventusi ka deklaruar se do të bëjë të tjera lëvizje surprizuese dhe të fuqishme në këtë merkato vere, sepse drejtuesit kanë ëndërr t’i japin “Zonjës” një trofe të Ligës së kampioneve. Duke u kthyer tek ardhja e djeshme në merkato, duhet thënë se francezi është një goditje e fortë. Sikurse shkruajnë mediumet sportive italiane, konferenca e parë e Adrien Rabiot si lojtar i Juventusit nisi në Italisht me dy fraza “Mirëmëngjesi dhe Faleminderit të gjithëve”. E ulur në rreshtin e parë edhe mamaja e tij, Veronike, që është njëkohësisht menaxherja e mesfushorit, e cila shoqërohej nga zëvendës presidenti Pavel Nedved dhe përgjegjësi i merkatos së bardhezinjve Fabio Paratiçi. Rabiot në fjalën e tij u shpreh se Juventus e kishte kërkuar edhe më herët, por momenti i duhur ende nuk kishte mbërritur. “Juventus më ka kërkuar edhe në të kaluarën, por nuk ishte momenti i duhur, ndërsa ai moment është pikërisht tani që jam këtu. Kam kaluar 7 vite në Francë dhe për mua është hera e parë që luaj në një kampionat tjetër, do të jap më të mirën time për të ndihmuar skuadrën në arritjen e objektivave. Me Juventusin nuk mu desh shumë kohë për të gjetur akordin. Ky klub mbart mbi vetë një histori të suksesshme, shumë futbollistë francezë kanë qenë pjesë e kësaj skuadre edhe në të kaluarën dhe kanë lënë gjurmë, të njëjtën gjë shpresoj të bëjë edhe unë”, theksoi mesfushori francez. Rabiot ka firmosur një kontratë 4-vjeçare nga e cila do të përfitojë 7 milionë euro në sezon. Ndërkohë mesfushori deklaroi se Bufon e bindi atë të transferohej tek bardhezinjtë, ndërsa shtoi se ende nuk ka mundur të takohet me trajnerin Maurizio Sarri. Gjithashtu Rabiot u shpreh se tek Juventus do të gjejë një grup me lojtarësh cilësorë, me në krye Kristiano Ronaldon. “Bufon më ka dhënë shumë këshilla përpara se të vija këtu dhe në fakt ishte ai që më bindi. Me tha se nëse dua që të bëjë hapa para në karrierën time duhet të vija tek Juventus. E mora në konsideratë këtë këshillë dhe pranova ofertën. Më bindi sepse edhe në aspektin personal jemi shumë miq. Me Sarrin ende nuk ka biseduar, por jam i bindur që do të kemi një raport shumë korrekt. Ronaldo është një lojtar i madh dhe më vjen mirë që do të luajë më të, por jo vetëm, pasi Juventus ka shumë lojtarë cilësorë dhe një shkallë më lart se Paris Saint Germain”, theksoi më tej futbollisti i Kombëtares së Francës, i cili ka bërë dy vitet e fundit një performancë mjaft cilësore me PSG-në dhe përfaqësuesen e “Gjelave”. 

Share





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Share