Main Menu

Derbi i “Madoninës” dhuron spektakël, Interi triumfon ndaj Milanit

Siç edhe pritej, derbi i “Madoninës” mes Interit dhe Milanit rezultoi një spektakël i vërtetë.

Interi ia doli të triumfojë 2-3 përballë kuqezinjve të Gatuzos, në një ndeshje të luftuar deri në fund, me një “San Siro” të tejmbushur me koreografi mbreslënëse.

Zikaltërve të Spaletit iu deshën vetëm tre minuta lojë për të gjetur golin e parë me anë të Vecinos.

Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-1, ndërkohë që plot katër gola të tjerë u shënuan në 45-minutëshin e dytë të lojës.

Interi dyfishoi shifrat me De Vrij në minutën e 53’, ndërsa Milani u kundërpërgjigj me Bakayoko duke ngushtuar rezultatin në 1-2.

Penalltia e kthyer në gol nga Martinez në të 67-ën minutë u duk sikur vulosi fatin e ndeshjes në 1-3, por Milani reagoi sërish.

Ishte Musacchio që në minutën e 71-të tundi rrjetën, duke ringjallur shpresat për një përmbysje të mundshme. Ndonëse kuqezinjtë provuan deri në minutën e gjashtë të shtesës të barazonin shifrat, ndeshja u mbyll me rezultatin 2-3.

Një fitore e madhe për Interin që parakalon sërish “kushërinjtë” e Milanit në Renditje. Interi e sheh kësisoj veten në vend të tretë në kuotën e 53 pikëve, dy më shumë se Milani i vendit të katërt.

Derbi i sotëm kishte një rëndësi të veçantë edhe për faktin që dy ekipet po luftojnë për një vend në zonën “Champions”.

Share





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Share