Main Menu

Bota e futbollit sot me sytë nga Milanoja, luhet derbi i Madonninës

Bota e futbollit do të jetë sot me sytë nga Milanoja, atje ku në orën 20:30 do të luhet derbi i Madonninës, Milan-Inter.

Kuqezinjtë kanë marrë “fitoren” e parë, pasi kanë shënuar një nivel rekord të ardhurash nga shitja e biletave për një ndeshje të kampionatit italian, ndërsa përveç aspektit ekonomik, do të kërkojnë edhe 3 pikët në përballjen sportive.

Si rrallë herë, skuadrat vijnë në pozita thuajse të njëjta në renditje, ku Milani mban vendin e tretë me 51 pikë, vetëm një më tepër se Interi i vendit të katërt, ndërsa të dy ekipet, bashkë me Romën, do të garojnë për dy vende në zonën Champions.

Kuqezinjtë e Gattusos shihen si favoritë, jo vetëm për faktin se luajnë përpara një stadiumi që në pjesën më të madhe të tij do të jetë i ngjyrosur kuqezi, por edhe sepse kanë treguar një formë mjaft të mirë në javët e fundit.

Viti 2019 ka qenë thuajse perfekt për të besuarit e Genaro Gattusos, që përveçse kanë siguruar gjysmëfinalet e Kupës së Italisë, me 5 fitore radhazi në kampionat, kanë parakaluar pikërisht zikaltrit në renditjen e Serisë A.

Krzysztof Piatek është njeriu i suksesit për skuadrën e Gattusos, pasi që kur iu bashkua Milanit në Janar, ka shënuar 8 gola në 9 takime mes kampionatit dhe Kupës së Italisë, duke bërë që të harrohet Gonzalo Higuain.

Një tjetër element që ka nxjerrë në pah Milani i javëve të fundit, është pikërisht reparti i mbrojtjes, që pëson shumë pak dhe lë pak, ose aspak punë për portierin Donnarumma, shenjë kjo e konsolidimit, pas rikthimit të të dëmtuarve.

Nga ana tjetër Interi vjen në një moment tejet delikat, pasi gjatë vitit 2019 ka parë të eliminohet nga Kupa e Italisë dhe Liga e Europës, të humbë vendin e tretë dhe të shkojë në “luftë të hapur” me ish kapitenin Mauro Icardi.

Pikërisht heqja e shiritit të kapitenit ndaj sulmuesit argjentinas, ka bërë që ky i fundit të mos stërvitet më nën urdhrat e Spallettit, ndërsa vetë tekniku zikaltër ndjen peshën e mungesës së tij në vijën e parë të sulmit, pasi fitoret e fundit në derbi, mbajnë pikërisht firmën e numrit 9.

Pavarësisht pritshmërive të mëdha, edhe këtë sezon Interi do të duhet të luftojë për një vend në zonën Champions, objektiv ky që është fondamental, sipas trajnerit Spalletti, por për t’ia dalë, duhet suksesi në derbi.

Favoritët janë pikërisht kuqezinjtë e Gattusos, por kur bëhet fjalë për ndeshje derbi, diferencat zhduken si me magji dhe pikërisht dëshira dhe motivimi i futbollistëve, është ai që del në pah për të vendosur fatin e takimit.

Lajmi i mirë për Spallettin është që do të ketë në dispozicion kroatin Brozoviç, pa të cilin Interi ka vuajtur gjithmonë shumë në qarkullimin e topit, por edhe Keita Balde, që pas 90 minutave ndaj Eintrachtit, duket se ka lënë tërësisht pas krahëve, dëmtimin.

Sa u përket përballjeve mes dy skuadrave në kampionat, Interi vazhdon të kryesojë 79 me 76 bilancin e përgjithshëm në 222 ndeshjet ndërmjet tyre, ndërkaq derbi i radhës është programuar në orën 20:30 dhe ky takim i është besuar arbitrit Marco Guida.

Share





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Share