Main Menu

Presidencialet në Maqedoni, partitë shqiptare ende pa kandidat

Partitë politike shqiptare ende nuk kanë përgjigje konkrete ndaj thirrjes së kryeministrit Zoran Zaev për një kandidat të përbashkët konsensual. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti deklaroi dje  se do përpiqej që të gjenin një zgjidhje për një kandidat të përbashkët me LSDM-në. Ndërsa partneri tjetër qeveritar, fraksioni i partisë BESA, me Afrim Gashin, thotë se vendimi pritet të merret në organet e partisë.

Jemi duke i shqyrtuar të gjitha mundësitë për pjesëmarrje në zgjedhjet presidenciale dhe organet e partisë do të marrin vendimin më të pranuar për strukturat tona’- thonë nga Lëvizja BESA, krahu i Afrim Gashit.

Pa vendim të prerë janë edhe partitë opozitare shqiptare. Nga partia Aleanca për Shqiptarët Zijadin Selës, thonë se presin vendimin e kryesisë.

I kemi shqyrtuar disa opsione, në takimin e radhës së Kryesisë me siguri do të definohet qëndrimi’- thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Ndërsa nga BESA e krahut të Bilall Kasamit, nënvizojnë se nuk kanë marrë ftesë konkrete nga kryeministri Zaev dhe partia e tij, LSDM-ja. Gjithashtu BESA e Kasemit, është duke pritur edhe vendimin e Aleancës për Shqiptarët  për të dalë me kandidat të përbashkët.

Nuk kemi marrë ndonjë ftesë nga kryeministri rreth çështje. Jemi të fokusuar në fuqizimin e votës shqiptare në maksimum dhe jemi duke punuar në atë drejtim. Nuk kemi dhe bisedime me Aleancën për Shqiptarët të Zijadin Selës. Nga komunikimi i fundit mbetet që të mbajnë mbledhje të Kryesisë dhe të na njoftojnë a janë të gatshëm të ulemi për biseda. ASH-ja ende nuk ka dhënë përgjigje’- pohuan nga Lëvizja BESA, krahu i Bilall Kasamit, raporton Alsat.

Nga LSDM-ja edhe sot, nuk ka asnjë përgjigje për zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa nga ana tjetër partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE-ja këmbëngul. Kreu i VMRO-së, Hristijan Mickovski, u kërkon qytetarëve të dalin në zgjedhje të parakohshme parlamentare, për të penguar varfërinë e vendit dhe politikat e gabuara të pushtetit të udhëhequr nga LSDM-ja e Zaevit.

Duhen zgjedhje të parakohshme, ku qytetarët të vendosin se në çfarë atdheu duan të jetojnë. Unë e di se nuk jeni për një Maqedoni të Veriut të varfër dhe të poshtëruar. Unë e di se jeni për Maqedoni të suksesshme dhe të pasur’, tha kreu i VMRO-së, Hristijan Mickovski.

Pasi kryetari i Kuvendit, të premten i shpalli zgjedhjet presidenciale, deri më 21 mars, subjektet politike duhet të dorëzojnë kandidatët e tyre në Komisioni Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ). Raundi i parë  i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 21 prill, ndërsa raundi i dytë më 5 maj.

Share





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Share