Main Menu

Interi kërkon ringritjen në Parma, Napoli udhëton në Firence, Bayerni pret Schalken

Eliminimi në Champions kuptohet më së miri që ka lënë pasoja në sezonin e Interit dhe treguesi më i qartë është starti i vitit 2019, pasi zikaltërit e mbyllën muajin janar në Serinë A jo vetëm pa regjistruar asnjë fitore, por gjithashtu pa shënuar qoftë edhe një gol të vetëm. Trajneri Luciano Spalletti rrezikon stolin dhe tani 59-vjeçari toskan i ka bërë thirrje lojtarëve të tij për të respektuar fanellën, por mbi të gjitha për të shpëtuar një sezon që filloi në mënyrë të shkëlqyer.

Pas daljes nga Kupa e Italisë, Interit tashmë i mbetet vetëm Europa League dhe siç dihet të enjten e ardhshme zikaltërit do të vizitojnë Rapidin në Vjenë, në ndeshjen e parë të fazës së 1/16-ave. Në takimin e fundit në “San Siro” Interi shpërdoroi pa fund dhe tifozët u larguan të zhgënjyer, teksa panë një ish si Sinisa Mihajloviç të largohet nga Milano me 3 pikë në xhep, në ndeshjen e tij të parë pas plot një dekade, si trajner i Bolonjës. Sfida e radhës është me Parmën në orën 20:30 në Tardini, fushë historikisht tepër e vështirë për zikaltërit, pasi Interi në këtë stadium ka humbur 14 nga 24 ndeshjet e zhvilluara në kampionatin italian.

Pa Politanon, Spalletti duhet të gjejë zgjidhje për sulmin, sepse Interi nuk ka arritur të prekë dot rrjetën në kohën e rregullt në katër ndeshjet e fundit. Edhe sezonin e kaluar zikaltërit nën drejtimin e trajnerit toskan vuajtën tmerrësisht gjatë kësaj periudhe, sidoqoftë Zona Champions është ndërlikuar ndjeshëm, pasi tani janë pesë skuadra, si Inter, Lazio, Milan, Atalanta dhe Roma që ndahen nga vetëm 5 pikë gjithsej dhe kuptohet deri në fund të sezonit vetëm dy prej këtyre klubeve do t’i bashkëngjiten dyshes Juve-Napoli. Nëse përfshihet si humbje edhe disfata në Kupën e Italisë me Lacion, ku gjithsesi zikaltërit u eliminuan vetëm pas ekzekutimit të 11-metërshave, ekipi i Spallettit paraqitet në stadiumin “Tardini” pas tre rezultateve negative, sidoqoftë për të gjetur katër humbje radhazi nga kjo skuadër duhet të rikthehemi në majin e vitit 2017.

Po për Serinë A në orën 18:00 në Firenze do të luhet gjithashtu edhe takimi Fiorentina-Napoli, ndërsa gjysmë ore më vonë për kampionatin holandez në Almelo, Ajaksi i Amsterdamit do të masë forcat me një kundërshtar si Heracles, që në “Polman Stadion” ka treguar një formë shumë të mirë, gjithsesi po në Eredivisie në orën 20:45 do të luhet edhe takimi tjetër Feyenoord-De Graafschap. Në Francë në orën 17:00 luhet takimi Paris SG-Bordeaux dhe është e kuptueshme që kampionët në fuqi në Le Championnat të mendojnë më shumë për duelin e mesjavës në Champions në “Old Trafford” me Manchester United, ndërkaq vetë “djajtë e kuq” zbresin në fushë që në orën 13:30 në “Craven Cottage” përballë Fulham-it të Claudio Ranieri-t, me moral të lartë pas trofeut simbolik të fituar nga Marcus Rashford si lojtari i muajit, ndërsa 46-vjeçari norvegjez në krahun tjetër u bë i pari trajner pas të madhit Alex Ferguson, në tetorin e vitit 2012, që fiton çmimin si trajneri i muajit në Premiership.

Në fund si përherë një hapësirë të veçantë e zë Bundesliga që ofron dy rivalët kryesorë në luftën për titull: Dortmund-Hoffenheim në orën 15:30 dhe Bayern-Schalke në orën 18:30.

Share





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Share