Main Menu

Partitë opozitare PRO zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare

Menjëherë pasi u votuan ndryshimet kushtetuese në Kuvendin e Republikës së Maqedonis, lideri i partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski kërkoi që vendi të shkon në zgjedhje të parakohëshme parlamentare bashkë me ato presidencialet.

Kryeministri Zaev tha se LSDM do ta rishikojë seriozisht kërkesën që vjen nga opozitarja VMRO-DPMNE, madje duke e respektuar edhe Marrëveshjen e Përzhinës për qeveri teknike 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Duke folur për qëndrimin e BDI-së për këtë çështje, zëvendëskryeministri Bujar Osmani tha se edhe në shtator kur u hap ideja e zgjedhjeve të parakohshme, ndonëse kishin të dhëna se BDI-ja do të korrte rezultate të mira, prapëseprapë e kundërshtoi idenë e zgjedhjeve të parakohshme, me besimin se qeveria ka mandat për zgjidhjen e çështjeve që do t’i hapnin Maqedonisë rrugën euroatlantike.

Se tani do të kenë mbështetje më të madhe në elektorat e thonë edhe nga Lëvizja “Besa”. Sekretari i saj gjeneral Arjanit Hoxha thotë se një palë zgjedhje të reja do ta rimëkëmbnin “Besën” në aspektin e numrave. Megjithatë shton se duhet që vëmendja t’u kushtohet integrimeve euroatlantike.

“Ne në aspektin partiak jemi të gatshëm dhe do të kishim dashur që zgjedhje të parakohshme të ketë menjëherë, mirëpo sa i përket çështjeve të interesit më të madh pasi që kemi të bëjmë me një proces që është integrimi në NATO dhe BE, duhet të vlerësojmë të gjithë aktorët politik bashkërisht se cili është aspekti më i mirë për të realizuar këto çështje, të marrim ulëse në NATO dhe pas kësaj të mendojmë për çështje të tjera”, tha Arjanit Hoxha, sekretar i përgjishëm i lëvizjes BESA.

Edhe nga Aleanca për Shqiptarët janë pro idesë që menjëherë të ketë zgjedhje të parakohëshme parlamentare që Maqedonia të fiton një Qeveri që do ta transformonte vendin në një frymë vërtetë europiane. 

“Jemi për zgjedhje parlamentare se bashku me ato presidenciale. Maqedonia tani ka nevojë për zgjedhje të reja për të siguruar një qeveri që e ka legjitimitetin dhe guximin për të ndërmarrë një transformim gjithëpërfshirës të vendit në një frymë vërtet evropiane”, ka deklaruar për Zhurnal, Flakron Bexheti nga Aleanca për Shqiptarët.

Idenë për zgjedhje të parakohshme parlamentare e para e dha partia opozitare VMRO-DPMNE. Ajo erdhi si revoltë ndaj ndryshimeve kushtetuese të votuara më 11 janar e që i dhanë dritë jeshile Marrëveshjes së Prespës. Po të njëjtën ditë lideri opozitar Hristijan Mickoski kërkoi shpërbërje të parlamentit dhe mbajtje të zgjedhjeve parlamentare bashke me ato presidencialet në prill të këtij viti. Të njëjtën gjë opozitarja maqedonase e kërkoi edhe dje, në një reagim me shkrim ku i bëjnë thirrje qeverisë të mos ikë por të dalë në zgjedhje. Sipas VMRO-DPMNE-së këto nuk janë zgjedhje për kolltuk por zgjedhje ku do të fitojë populli.

Share





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Share