Main Menu

Kroaci-Spanjë, nënkampionët e botës për krenari, “Furia Roja” do kualifikimin

Edicioni hapës i Ligës së Kombeve bëhet gati për të luajtur aktin e fundit, përsa u përket ndeshjeve në grupe. Në Divizionin A gjithçka mbetet e hapur e llogaritë janë ende tepër të ndërlikuara. Kështu në Grupin 4 Spanja do të përballet në Zagreb me Kroacinë, natyrisht me objektivin e vetëm për të siguruar tre pikët.

Nënkampionët e botës e filluan në mënyrën më të keqe të mundshme aventurën e tyre në Nations League, megjithatë pas barazimit të shëmtuar 0-0 të muajit të kaluar ndaj Anglisë, skuadra e drejtuar nga Zlatko Dalicit tani do të ketë një mundësi të shkëlqyer për të vënë në vend krenarinë, pasi këtë here, në orën 20:45, në stadiumin “Maksimir” vendësit do të luajnë përpara publikut të tyre të zjarrtë kroat.

Në këtë grup, pas triumfit të Spanjës në “Wembley” gjërat vijuan shkëlqyeshëm për “Furia Rojan”-, që shpartalloi 6-0 në Elche pikërisht përfaqësuesen që në botërorin e fundit u mund vetëm në pengesën e fundit, pra në finale nga Franca e drejtuar nga Didier Deschamps. Sidoqoftë, disfata 2-3 me Anglinë në Sevilje tashmë bën që ekipi i Luis Enrique-s të ketë nevojë patjetër për fitoren në Zagreb, sepse, në rast barazimi me pikë me kombëtaren e “Tre Luanëve” 3 herë Kampionët e Evropës do të eliminoheshin përpara kohe, për shkak të bilancit negativ në ndeshjet direkte me përfaqësuesen e drejtuar nga Gareth Southgate.

48-vjecari asturian më në fund riktheu në gjirin e kombëtares mbrojtësin e majtë të Barcelonës, Jordi Alba. Luis Enrique ka grumbulluar për herë të parë qendërmbrojtësin e Espanyolit, Mario Hermoso, mesfushorin e Celtas Braiz Mendes si dhe portierin e Betisit, Pau Lopez, ndërkaq do të mungojë në mbrojtje dyshja e Realit Nacho – Dani Carvajal.

Në krahun tjetër Kroacia vuajti shumë në Rijekë mungesën e spektatorëve dhe skuadra e drejtuar nga Zlatko Dalic shpëtoi vetëm nga pasaktësia e sulmuesit anglez Marcus Rashford, ndërsa këtë herë në gjirin e ekipit do të rikthehen futbollistë të tillë si Marcelo Brozovic dhe Sime Vrsaljko.

Tre ditë pas këtij dueli Spanja do të presë në Ishujt Kanarie në një takim miqësor Bosnje – Hercegovinën, ndërsa Kroacia do të vizitojë në “Wembley” “Tre Luanët”, në ndeshjen e fundit të Grupit 4, grup ku për momentin Spanja kryeson në kuotën e 6 pikëve, Anglia ndjek me 4, ndërsa Kroacia mbyll renditjen me vetëm një pikë.

Spanja kryeson gjithashtu edhe bilancin e përgjithshëm, 4-2 me fitore në 7 përballjet ndërmjet tyre, gjithsesi, nëse Kroacisë i nevojiten 6 pikët në dy ndeshjet e fundit për të siguruar kualifikimin për në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë Islanda në sfidën tjetër është e pashpresë, pasi “ishullorët” poziconohen në fundin e Grupit 2 pa asnjë pikë.

Në këtë grup Belgjika dhe Zvicra udhëheqin në kuotën e 6 pikëve, sidoqoftë është e kuptueshme që gjithçka sa i përket kualifikimit do të zgjidhet në përballjen direkte që “Djajtë e Kuq” do të kenë pas tre ditësh në Lucernë me përfaqësuesen helvete. Takimi me Islandën në orën 20:45 në stadiumin “Mbreti Baduin” të Brukselit kalon disi në plan të dytë për skuadrën e trajnerit Roberto Martinez, që me shumë gjasa do të rreshtojë nga minuta e parë sulmuesin e Valencias Batshuayi në vend të Lukakut.

Në anën tjetër trajneri suedez nuk do të ketë në dispozicion lojtarë të rëndësishëm si mbrojtësin Ragnar Sigurdsson, si dhe mesfushorët Johann Gudmundsson e Gylfi Sigurdsson. Islanda, që ka humbur 8 dhe barazuar 3 nga 11 ndeshjet e fundit është në kërkim të golit të parë në këtë kompeticion, teksa është mundur 6-0 dhe 3-0 respektivisht nga Zvicra dhe Belgjika. “Djajtë e Kuq” kanë fituar 10 nga 10 përballjet në histori me Islandën, por sidoqoftë “ishullorët” nuk kanë asgjë për të humbur, për më tepër muajin e kaluar ndonëse bëhej fjalë për një takim miqësor, në Guingamp ndaj tyre kampionët në fuqi të botës patën nevojë për dy gola të vonë për të shmangur një humbje të turpshme.

Në fund, po në orën 20:45, në Divizionin C në një ndeshje të vlefshme për Grupin 2 Greqia do të presë në Athinë në stadiumin “Spyros Louis” Finlandën. Përfaqësuesja nordike kryeson këtë grup me pikë të plota, pas katër ndeshjeve të para, ndërsa ekipi helen ndjek në vendin e dytë me plot gjashtë pikë më pak. Në teori Greqia i ka mundësitë për t’u kualifikuar për në fazën e “knock out”-it, nëse mposht fillimisht 2-0 ose me tre gola diferencë Finlandën dhe tre ditë më pas po në shtëpi Estoninë, ndërkaq miqve edhe në rast humbjeje do t’iu mjaftonte edhe një pikë në Budapest ndaj kombëtares maxhare, për të siguruar kalimin mes katër skuadrave më të mira të këtij divizioni, për më tepër skuadra nordike e ka mposhtur Greqinë në dy përballjet e fundit ndërmjet tyre, madje pa pësuar as gol.

Share





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Share