Main Menu

Sot fillon Festivali i Teatrove “Othello”

Duke filluar nga sot, 5 nëntori, deri më 9 nëntor, në Gostivar do të mbahet edicioni i dytë i Festivali Ndërkombëtar i Teatrove “Othello”. Që të gjitha netët do të nisin në ora 19:00, në Qendrën për Kulturë të Gostivarit.

Organizatorë të festivalit janë Berat Saliu dhe Argjend Hasani, ndërkohë që udhëheqës për marketingun është, Hajdar Hajdari, e kurse për dizajnin dhe grafikën është përkujdesur, Burhan Ahmeti.

Drejtori i festivalit, Argjend Hasani në një prononcim për media gjatë publikimit të programit, ka vlerësuar se me këtë edicion do të shënohet themelimi i Institucionit Nacional “Teatri i Gostivarit”.

Nata e parë, do të fillojë sot, me shfaqjen “Vetëvrasësi”, e autorit Nikolai Erdman, në regji të Sulejman Rushitit. Është realizuar në bashkëpunim me Teatrin “A. Z. Çajupi” – Korçë dhe Teatrit Kombëtar të Tiranës.

Sinopsi: Një i ri, i papunë, Semyon, beson se përgjigja ndaj problemeve të tij është të mësojë të luajë tuba. Megjithatë, plani i tij dështon dhe ai mendon vetëvrasje. Fqinji i tij, Aleksandër Petroviç, vendos të fitojë para nga mjerimi i Semyon, duke shfrytëzuar vetëvrasjen e tij për disa ofertues. Këta ofertues kanë planifikuar të shfrytëzojnë vdekjen e Semyon-it në avancimin e çështjes së tyre individuale. Inteligjenca, e përfaqësuar nga Aristarku, është i pari që i afrohet atij. Nga kjo pikë, Semyon e gjen veten, duke u manipuluar nga njerëz të ndryshëm që përfaqësojnë botën e biznesit, artet, punëtorët, romancat etj. Gjatë rrjedhës së shfaqjes, secili personazh zbulon anën më të keqe të personalitetit të tyre, me efekt humorist.

Në natën e dytë, më 6 nëntor do të paraqitet shfaqja “Ata që ikin”, me autor dhe në regji të Kushtrim Bekteshit, e realizuar në Teatrin “Bekim Fehmiu” – Prizren.

Sinopsi: Kjo shfaqje trajton fate njerëzish të cilët në pamundësi për të gjetur kuptimin e vërtetë të ekzistencës së tyrë në rrëmujën e kohës që jetojnë, shpresën e vetme e kërkojnë në ikje. Shfaqja flet për të ‘vdekur’ që duan të jenë të ‘gjallë’!

Më 7 nëntor do të paraqitet shfaqja “Oskari dhe tezja Rozë” me autor Eric Schmitt, në regji të Kico Londo, e realizuar në Teatrin e rajonit të Shkodrës – Kukës.

Sinopsi: Oskar është një djali i vogël dhjetëvjeçar që jeton në spitalin e fëmijëve sepse vuan  nga leuçemia. As mjekët, as prindërit e tij nuk guxojnë t’i thonë të vërtetën mbi sëmundjen e tij. Por ja ku shfaqet teze Roza, në dukje një grua e ashpër, me karakter shpërthyes, por që fillon të bisedojë me të  drejtpërdrejt. Për ta argëtuar pak Oskarin, Roza i propozon një lojë : të sillej sikur çdo ditë e jetës së tij vlente sa për 10 vjet. Në këtë mënyrë ajo i ofron mundësinë të jetojë gjithë jetën për disa ditë.  Duke e përshpejtuar jetën e Oskarit, autori do të në bëjë të kuptojmë që nuk jemi të përjetshëm dhe duhet të meritojmë dhe gëzojmë çdo  moment të jetës.

Tezja Rozë i këshillon gjithashtu t’i shkruajë Zotit, për t’u ndier më mirë. Edhe pse nuk beson vërtet në Zot, ai fillon t’i shkruajë letra dhe t’i kërkojë çdo ditë nga një dëshirë të plotësuar.  Në letrat për Zotin, Oskarin flet edhe për dhimbjet, për prindërit, për shokët dhe shoqet në spital, për  shqetësimet, gëzimet e tij, dashurinë e tij të parë, kohën që kalon…

Më 8 nëntor, do të shfaqet “Gratë”, me autor Robert Thomas, në regji të Qëndrim Rijanit, e realizuar në Teatrin Shqiptar të Shkupit, e cila trajton problemet e dashurisë, urrejtjes, tradhtisë, seksualitetit dhe incestit.

Festivali do të përfundojë më 9 nëntor, me shfaqjen “Hollyshit” në regji të Ilir Bokshit, e realizuar “AAB Faruk Begolli” – Prishtinë.

Sinopsi: Shfaqja është një tragjikomedi për një qytezë-provincë e cila “pushtohet” nga një produksion hollivudian të cilët vijnë për të xhiruar një film. Në qendër të storjes janë Çarlli Konllon dhe Xhejk Kuin, të cilët sikurse shumica e banorëve të qytezës, janë punësuar si statistë filmi. Komedia rrjedhë nga përpjekjet e produksionit që të krijojnë një “ndjesi provinciale” -një nocion romantik, i cili shpesh bie ndesh me realitetin jetësor.

Natën e fundit do të ndahen edhe çmimet e përzgjedhura nga juria.

Share





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Share