Main Menu

Liberalizimi i vizave për Kosovarët, po vjen!

Parlamenti Evropian sot ka futur në rend të ditës çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Komisioni LIBE e kishte iniciuar me kohë, pasi që e kishte vlerësuar, se çështja duhej të kalonte në instanca të tjera, që kosovarëve t’u hiqet regjimi i vizave. Qytetarët e Kosovës, këtë lajm e kanë pritur me ankth, ndërsa tani vërtetë qëndrojnë fare pran aktit të përjetimit të lëvizjes së lirë, në gjithë kontinentin e vjetër – shkruan Gazeta e Re.

Tanja Fajon, raportuese e BE-së në Parlamentin Evropian për Kosovën, ka thënë se “qytetarët e Kosovës janë një hap më afër udhëtimit pa viza në Evropë”, pasi që në parlament votuan pro 625 deputetë, përkundër 186 që qenë kundër dhe 22 të tjerëve që abstenuan.

E ngazëllyer, Ministrja Dhurata Hoxha, i ka uruar qytetarët, për siç ka thënë, për këtë sukses të përbashkët. Nëpërmjet një postimi në facebook, ajo ndër të tjera ka thënë se qytetarët e kanë merituar dritën e gjelbër nga PE:

“Pas kërkesës së Komisionit LIBE për Grupet parlamentare të Parlamentit Evropian, sot hyri në rend dite dhe u votua për liberalizimin e vizave. Ky është një lajm i mirë për qytetarët tanë, për lëvizjen e lirë, për të ardhmen e rinisë tonë.

Institucionet tona, të nivelit qendror dhe lokal, me përkushtim kanë realizuar të gjitha kushtet për liberalizim. Pas kësaj pune të jashtëzakonshme në të gjitha fushat dhe nivelet, ky votim i sotëm, është mirënjohje dhe dëshmi se qytetarët tanë e meritojnë lëvizjen e lirë.

Sot, Kosova dhe qytetarët e saj, morën edhe mirënjohjen për punën e bërë me plotësimin e të gjitha kritereve dhe qytetarët tanë të lëvizin lirshëm. Kemi theksuar se mirëqenia e qytetarëve është dhe mbetet prioritet yni. Qytetarët tanë e meritojnë lëvizjen e lirë, që tashmë jemi vetëm një hap larg.

Falënderoj raportuesit për Kosovën dhe Grupet parlamentare në Parlamentin Evropian, si dhe euro deputetët që patën mirëkuptim për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, angazhimin permanent që liberalizimi i vizave të ndodhë sa më parë. Shpreh respekt të thellë dhe të sinqertë, edhe në emër të qytetarëve të Kosovës për zonjën Fajon për gjithë çka ka bërë për këtë proces tejet të rëndësishëm.”

Por qytetarët e kanë pritur për një kohë të gjatë që ky proces të përfundojë. Shumica prej tyre, sidomos të rinjtë, shpresojnë që heqja e regjimit të vizave, do t’ua çelë atyre dyert për shkollim dhe punësim. Por ata së pari duhet t’i kryejnë disa obligime teknike, për t’i plotësuar standardet perëndimore. Kështu, kërkesat për pasaporta biometrike, do të shumëfishohen. Sipas një të dhëne “pasaporta ( jo – biometrikë ) të Republikës së Kosovës gjithsej janë 465552”. Natyrisht, ata që ia mësyjnë perëndimit, nuk kanë të drejtë të qëndrojnë më shumë se 90 ditë, ndërsa, për punë, duhet të kërkojnë lejeqëndrim nga autoritetet përkatëse, në vendet ku emigrojnë.

Pabarazia sociale, korrupsioni enorm, nepotizmi, sistemi i degraduar i drejtësisë, i ka bërë ata skeptik për sa i përket perspektivës në vend. Sipas një ankete, afro 60% e tyre e konsiderojnë si opsion të vetëm ikjen nga vendi. Këtu sipas tyre, nuk ka perspektivë.

Share





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Share