Main Menu

Aleanca për Shqiptarët mbajti tubim në Gostivar për referendumin

Kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela, dje iu drejtua banorëve të Gostivarit, duke kërkuar që të votohet “për” në referendumin e 30 shtatorit, në mënyrë që, siç tha, të bëhen shtëpitë dhe ardhmëria më e sigurt.

Ai ka bërë thirrje që të dilet në mënyrë masive në referendum dhe ta përkrahin atë.

“Të dalim më 30 shtator në mënyrë masive dhe t’i mobilizojmë të tjerët. Kështu ua kthejmë falënderimin NATO-s e cila ka qenë me ne, kur çështja shqiptare në këto hapësira ka qenë e kërcënuar. Të votojmë “për” që t’i bëjmë shtëpitë dhe ardhmërinë tonë më të sigurt”, tha Sela.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela nga tubimi për referendumin në Gostivar i ka replikuar kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, lidhur me një deklaratë të tij në intervistën në “Opinion”, ku lideri integrist kishte deklaruar se në vitin 2001 kishte dorëzuar 2 mijë armë, dhe janë marrë 4 mijë armë, 2 mijë në polici dhe 2 mijë në ushtri.

“Ali Ahmeti në debat e dha një deklaratë të tillë, por do e pyesja se ku ishin ata 2 mijë oficerë të tij më 27 prill të vitit të kaluar”, ka theksuar Sela.

Ai ka theksuar ndër të tjera se përcaktimi i qartë i ASH është anëtarësimi në NATO dhe BE, por duke qenë si parakusht të drejtat e shqiptarëve, përmes ndryshimeve kushtetuese. Sipas tij, një udhëheqës institucional që kërkon NATO dhe BE është në ASH, sepse po të shohim kryetarët e komunave nga kjo parti janë model për udhëheqje si politikanë të dinjitetshëm, të pastër dhe që nuk bëjnë hakmarrje politike.

Share





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Share