Main Menu

Shkup, u shënua Viti i Ri Islam “Hixhri 1440”

Me anë të një akademie solemne në objektin e Filarmonisë së Maqedonisë, Bashkësia Fetare Islame (BFI) e Republikës së Maqedonisë ka shënuar ndërrimin e vitit kalendarik Islam “Hixhri 1440”, që lidhet me shpërnguljen e profetit Muhammedi (a.s) nga qyteti i Mekës drejt Medinës.

Përfaqësuesit nga jeta fetare në Maqedoni dhe rajon, si dhe personalitetet nga jeta politike dhe shoqërore në vend, të cilët ishin të pranishëm në sallë, patën rastin të dëgjojnë recitim nga Kur’ani dhe këndim të ilahive.

Kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi, duke folur para të pranishmëve për Vitin e Ri Islam iu referua muslimanëve të botës aktuale, duke apeluar për unitet mes tyre.

“Uniteti është ajo që sot më së shumti u duhet muslimanëve në botë, sepse uniteti ruhet dhe zhvillohet duke ushqyer respekt dhe dashuri të ndërsjelltë. Nuk jemi në momentet të jetosh ose të mos jetosh, siç ishin të parët tanë muslimanët që u detyruan të hixhrojnë, por sot jemi në momente kur detyrimisht duhet të jetojmë duke i dhënë kuptim jetës sonë së përditshme vetëm përmes ruajtjes, kultivimit dhe zhvillimit të atyre vlerave islame që u ngritën në rrethinën e ndritshme”, deklaroi Rexhepi.

Në fund të programit kushtuar Vitit të Ri Islam, BFI ndau mirënjohje dhe çmime personaliteteve të çmuara në fusha të ndryshme.

Ndryshe, fjala arabe “Hixhret” nënkupton shpërnguljen e Profetit Muhamed (a.s) dhe pasueseve të tij nga Meka në Medinë, në vitin 622 të kalendarit gregorian. Muslimanët e rajonit në mënyra të ndryshme e shënojnë ndërrimin e viteve sipas Hixhrit.

Nëpër xhamitë lexohet Kurani dhe përgatiten programe të veçanta dhe ligjërata në lidhje me ngjarjen e Hixhrit.

Shpërngulja e Profetit Muhammed (a.s) dhe muslimanëve të parë nga Meka në Medinë, Hixhreti, është pikënisja e llogaritjes së kalendarit musliman, ndërsa kjo ngjarje historike nënkupton fillimin e epokës së tyre.

Viti sipas Hixhrit zgjat rreth 354 ditë, përbëhet prej 12 muajsh dhe për njëmbëdhjetë ditë është më i shkurtër se kalendari diellor.

 

Share





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Share