Main Menu

Belgjikë-Islandë dhe Hungari-Greqi, spektakli vazhdon në Ligën e Kombeve!

Pas Botërorit shumë të mirë në Rusi, që kulmoi me vendin e tretë” Belgjika nis një aventurë të re në Ligën e Kombeve, me “djajtë e kuq” që do të masin forcat në orën 20:45 në Reykjavik me Islandën. Pas triumfit të Zvicrës në ndeshjen hapëse skuadra e spanjollit Roberto Martinez është e dënuar për të marrë 3 pikët në kryeqytetin islandez, për të ruajtur hapin e ekipit helvet. “Djajtë e kuq” shkojnë të plotë në ishull dhe plot besim për të vijuar rrugën e tyre, për më tepër të premten në mbrëmje Belgjika shkatërroi në Hampden Park në një test miqësor Skocinë, ndeshje ku 45-vjecari nga Katalonja preferoi të luajë me futbollistët më të mirë. Këto dy përfaqësuese bëjnë pjesë në Grupin e Dytë të Divizionit A dhe natyrisht vendasit do të bëjnë cmos për të përmirësuar sadopak imazhin, pas disfatës së turpshme me Zvicrën. Në St. Gallen Islanda pësoi humbjen më të rëndë në 17 vitet e fundit, më saktë që nga tetori i vitit 2001 kur Islanda u poshtërua me të njëjtat shifra 6-0 në Kopenhagen nga Danimarka.

Askush nuk priste një rezultat të tillë, sidomos pas figurës shumë të mirë që “ishullorët” bënë në botërorin rus, ku Islanda për pak sa nuk eliminoi edhe vetë Argjentinën e Mesit që në fazën e grupeve, sidoqoftë një humbje e tillë në këto momente i ul me këmbë në tokë futbollistët vendas dhe sigurisht i bën mirë ekipit të drejtuar nga Erik Hamren. 61-vjecari suedez e ka marrë drejtimin e ekipit prej vetëm një muaji dhe është e kuptueshme që skuadrës i nevojitet kohë për t’u përshtatur me idetë e trajnerit të ri. Nën drejtimin e trajnerit Roberto Martinez “djajtë e kuq” kanë humbur vetëm 1 nga 27 ndeshjet e fundit, pikërisht atë me Francën në fazën gjysmëfinale të botërorit të fundit, gjithsesi edhe statistikat tregojnë qartë forcën e Belgjikës në përballjet ndërmjet tyre, sepse Islanda i ka humbur që të nënta sfidat që këto dy vende kanë luajtur, madje kurioz është fakti që Islanda ka shënuar thjesht një gol të vetëm në shtatë ndeshjet e fundit mes tyre.

Në Grupin e Dytë të Divizionit C luhet gjithashtu edhe takimi Hungari – Greqi. Ndeshja do të zhvillohet në orën 20:45 në Stadiumin Groupama Arena të Budapestit dhe natyrisht përfaqësueses helene i intereson edhe barazimi, duke patur parasysh faktin që në ndeshjen hapëse skuadra e drejtuar nga gjermani Michael Skibbe mundi në Tallinn Estoninë, ndërsa kombëtarja maxhare humbi në Tampere po me rezultatin 1-0 me Finlandën. Sikur të mos mjaftonte ecuria tepër negative e Hungarisë gjatë vitit 2018 Greqia në këtë grup është dukshëm favorite e ka në favor edhe kalendarin, pasi në muajin nëntor skuadra helene do t’i luajë dy ndeshjet e fundit të këtij grupi në Athinë, respektivisht ndaj Finlandës dhe Estonisë.

Share





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Share