Main Menu

Shkëndija, shkëlqesia shqiptare në Champions

Me kualifikimin e Shkëndijës në xhiron e tretë eliminatore të Ligës së Kampionëve nënkuptohet se klubi i madh shqiptar nga Tetova e ka shënuar edhe një tjetër sukses të madh në historinë e vet, njofton gazeta Zëri.

Kjo është hera e parë që klubi përfaqësues i shqiptarëve të Maqedonisë arrin të shkojë kaq lart – deri në rrethin e tretë kualifikues të Championsit.

Kampionia në fuqi e Maqedonisë të martën mbrëma barazoi pa gola si mysafire e Sheriff Tiraspolit në Moldavi, me ç’rast “Shqiponjat” fluturuan tutje falë fitores prej 1:0 që e kishte shënuar në ndeshjen e parë në Shkup me golin e Besart Ibraimit.

Kështu Shkëndija mrekullinë në Ligën e Kampionëve, përkatësisht kualifikimin në “Play-Off” tani do ta kërkojë përballë gjigandit austriak Salzburgut, i cili në sezonin e fundit shkoi deri në gjysmëfinale të Ligës së Evropës.

Natyrisht, ky sukses ndërlidhet ngushtë edhe me trajnerin Qatip Osmani, i cili megjithëkëtë merita nuk i atribuon fare vetes, por vetëm futbollistëve të tij, të cilët i ka uruar për paraqitjet e deritanishme.

“Uroj lojtarët e mi për paraqitjen dhe për angazhimin që dhanë. Edhe pse u orientuam më shumë në defensivë besoj se Shkëndija e meritoi kualifikimin në rundin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve”, ka deklaruar Osmani.

Ai ndihet krenar që ekipi i tij arriti ta eliminojë një ekip të njohur në kontinentin e vjetër.

“Kishim përballë rival shumë cilësor dhe gëzimi ynë është edhe më i madh për faktin që eliminuam një skuadër si Sheriff Tiraspoli”, tha ai.

Shkëndija në edicionin e kaluar kishte ecuri perfekte në kualifikimet e Ligës së Evropës ku u eliminua vetëm prej një gjiganti evropian, siç është Milani italian. Ndërsa tani tetovarët po mundohen të shkëlqejnë në një nivel më të lartë, në Ligën e Kampionëve, ku ka shkuar si kampione e Maqedonisë, titull për të cilin kuqezinjtë kishin arritur ta përmbysnin gjigantin maqedonas, Vardarin.

Falë investimeve të mëdha të “Ecolog”-ut dhe menaxhimit fenomenal nga familja e pasur shqiptare, ajo e Lazim Destanit, Shkëndija ka prekur majat në futbollin maqedonas duke u bërë rivale e vetme e denjë e maqedonasve të Vardarit.

Ndërkohë në rrafshin ndërkombëtar Shkëndija është ngritur në një nivel të kënaqshëm evropian.

Krejt këto kanë bërë që kjo skuadër të bëhet në njëfarë forme “përfaqësuese” e shqiptarëve të Maqedonisë, por që ka hyrë edhe në zemrat e tifozëve në Kosovë ose edhe në Shqipëri.

Share





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Share