Main Menu

Homazhe një legjende! Shqiptarët i përulen Vokrrit

Jeton Selimi – 9 qershori ishte një ditë e trishtë për futbollin shqiptar. Dje, më 9 qershor, u shua krejt papritur Fadil Vokrri! Njeriu që mori përsipër betejën e madhe të anëtarësimit e Kosovës në familjen e madhe të futbollit. Njeriu që në vizionin e tij kishte ëndrra edhe më të mëdha, por që fatkeqësisht ataku kardiak ia preu në mes. Fadil Vokrri nuk ka nevojë për reklamë! Shqiptari më i respektuar mes serbëve, njeriu që i dha aq shumë Prishtinës dhe më pas Partizanit të Beogradit, aq sa u bë edhe kapiten i skuadrës së dytë më të titulluar në ish-Jugosllavi. 18 golat në 55 ndeshje bënë që Ivica Osim ta thërriste “nën armë” në përfaqësuesen e ish-Jugosllavisë.

Për të 12 ndeshje dhe 6 gola dhe më pas aventura në Turqi te Fenerbahçja, dy sezone 19 gola, bënë që Vokrri të zërë një vend të veçantë edhe përtej Bosforit. Pastaj kush nuk e mban mend sfidën e bardhezinjve të Beogradit me Flamurtarin e Kushtës? Një nga sfidat e pakta të klubeve shqiptare që është shndërruar në epope, me Davidin shqiptar që mposhti Golian jugosllav. Por, se cili ishte Vokrri për Partizanin e Beogradit, mjafton të lexoni qindra komentet e tifozëve bardhezinj në faqen e klubit. Dje në homazhet e të ndjerit ishin të gjithë. Në hollin e Teatrit të Kosovës, me flamurin në gjysmështizë, nuk mungoi personi që e shoqëroi më së shumti në këtë rrugëtim, Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit.

Nuk mungoi as presidenti Ilir Meta, që kreu nderimet ndaj të ndjerit. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Kosovës Ramush Hajradinaj e shumë personalitete të tjera të politikës.

Gjeniu i topit, Zvonimir Boban ishte aty në emër të FIFA-s, ndërsa presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, nëpërmjet faqes zyrtare të UEFA-s u shpreh i tronditur nga kjo humbje e parakohshme e një njeriu që luftoi derisa përmbushi ëndrrën e tij, të anëtarësonte Kosovën në FIFA dhe UEFA. Mijëra njerëz përcollën të ndjerin për në banesën e fundit, ku nuk munguan edhe grupe të organizuara tifozësh si ata të Prishtinës apo “Dardanët”, që mbështesin çdo sfidë të përfaqësueses bluverdhë.

Fadil Vokrri ishte një numër 9 tipik, një sulmues zone. Kishte një gjuajtje të fortë dhe një driblim të shkëlqyer. Më 9 qershor bëri lëvizjen e tij të fundit, duke na ‘dribluar’ dhe shtangur të gjithëve! Lamtumirë Fadil, lamtumirë legjendë!

Share





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Share