Main Menu

Asaf Ademi: Ja misioni im dhe detyrat si ministër i Kulturës

Artistët dhe aktorët e jetës kulturore në Maqedoni, pra edhe shqiptarët, dua të jenë të bindur se askujt nuk do t’i bëjmë padrejtësi, pavarësisht bindjeve politike, por do të vendosim standarde që do të kërkojmë të respektohen nga të gjithë.

Është caktuar kandidat për ministër i Kulturës në qeverinë e Republikës së Maqedonisë. Ditëve të fundit emri i Asaf Ademit e ka trazuar opinionin. Para se të kalojë të premten votimi në Kuvend, gjetëm momenti që të realizojmë një bisedë të shkurtër me të, sa për ta sjellë pranë opinionit personalitetin e tij, por edhe për të sqaruar disa reagime që u ngritën pas propozimit të tij për kandidat për ministër.

Është caktuar kandidat për ministër i Kulturës në qeverinë e Republikës së Maqedonisë. Ditëve të fundit emri i Asaf Ademit e ka trazuar opinionin. Para se të kalojë të premten votimi në Kuvend, gjetëm momenti që të realizojmë një bisedë të shkurtër me të, sa për ta sjellë pranë opinionit personalitetin e tij, por edhe për të sqaruar disa reagime që u ngritën pas propozimit të tij për kandidat për ministër.

Almakos: Kush është Asaf Ademi?

Ademi: Është jomodeste të flitet në vetën e parë. CV-ja ime tashmë është publike dhe nuk kam as çfarë të shtoj, as të heq. Jam munduar në jetë të mbetem njeri. Përkundër asaj se kam pasur një punë që më ka sjellë kënaqësi në më shumë plane, mendoj se detyrimi që të prodhojmë të mira të përgjithshme është më i rëndësishëm se kënaqësia personale. Mbase kjo ishte arsyeja që e pranova propozimin e kryetarit të Lëvizjes BESA, Afrim Gashi, për këtë detyrë. Kjo ishte mirënjohje për mua, andaj – ndonëse më shumë është përgjegjësi sesa privilegj – i falënderoj organet e Besës për besimin e dhënë. Uroj të dalim faqebardhë bashkërisht.
Gjatë karrierës sime nuk kam dashur t’u ikë sfidave, por gjithnjë kam synuar të ballafaqohem me të. Kështu e kam pranuar edhe këtë detyrë. Koha dhe veprat do të jenë dëshmia e përkushtimit tonë në këtë detyrë.

Në opinion kishte reagime se me ardhjen tuaj në drejtimin e Ministrisë së Kulturës po degradohet kultura në Maqedoni. Cili është komenti juaj?

Ademi: I kam ndjekur ato reagime dhe më shumë më ka ardhur keq për paragjykimet, pa dashur të merrem me motivet dhe shtytjen. Unë nuk dua të merrem me gjuhën e atyre reagimeve, as me përmbajtjen e tyre, por dua t’ju them se nuk ka nevojë për panik. Unë do të jem ministër i Kulturës për gjithë jetën kulturore në Maqedoni dhe, në këtë drejtim, nuk ka rëndësi se çfarë identiteti etnik a religjioz kanë projektet e caktuara kulturore, që të mund të kalojnë dhe të realizohen. Derisa flasim për kulturën, ndërsa kultura është prodhimtari shpirtërore, mendoj se duhet të ngrihemi mbi kornizat etnike, politike e religjioze dhe të mendojmë se ajo duhet të jetë personifikimi i shpirtit të të gjithëve në Maqedoni. Jam i sigurt se, pas një kohe, ata do të binden se kanë paragjykuar dhe kanë shpejtuar. Unë do të jem i hapur të komunikoj me të gjitha palët e interesuara për kulturën, rrjedhimisht edhe me ata, dhe nuk shoh kurrfarë kufizimesh që të mund të ndihmojmë na avancimin e vlerave të njëmendta kulturore në vend.

Almakos: Po ashtu qarkulluan edhe tituj ironizues se një inxhinier i ndërtimtarisë do ta drejtojë Ministrinë e Kulturës.

Ademi: Secili është rob i fjalës që e thotë dhe mbret i fjalës që nuk e thotë. Ndonëse kam respekt deri në përulësi të thellë për të gjithë artistët dhe këtë shpresoj ta dëshmoj me punë, mendoj se detyra e ministrit të Kulturës nuk është të pikturojë, të shkruajë poezi ose të aktrojë, por të menaxhojë me aktivitetet kulturore. E, derisa flasim për menaxhim dhe derisa detyra e ministrit është detyrë politike, nuk besoj se ka vend për kualifikime të tilla. Nuk dua të shërbehem me shembuj, sepse nuk dua të bëhem rob i fjalëve të mia, por e kaluara, jo vetëm e Ministrisë së Kulturës, por edhe e funksioneve të tjera në shtet, flet se ato argumente nuk qëndrojnë.

Almakos: A ka Asaf Ademi vizion për kulturën në Maqedoni? Çfarë do të jetë e veçanta e punës suaj.

Ademi: Nuk jam nga ata që e bëjnë hopin para hapit, andaj do të kursehem nga premtimet e llafet e mëdha, por ajo që do të jetë lajtmotiv i punës sime është që të përpiqemi të realizojmë sa më shumë projekte që e ndërtojnë identitetin e përbashkët kulturor në vend, që nuk bëjnë ndarje mbi baza etnike e religjioze, që nuk diskriminojnë, por afrojnë, që nuk përjashtojnë, por janë gjithëpërfshirëse. E në këtë plan kemi shumë për të bërë. Ju e dini se sa dëm i është shkaktuar kulturës në Maqedoni në dhjetë vitet e fundit – mjafton të bëni një shëtitje nëpër Shkup. Andaj na pret shumë punë që të dëshmojmë se ne jemi ndryshe. Kultura duhet të jetë pikëprerja ose urëlidhja mes të gjithë qytetarëve në vend. Derisa në projekte të tjera qytetarët tanë mund të jenë të ndarë, në jetën kulturore ne e kemi rastin e volitshëm që të dallohemi. Dhe, prandaj jemi këtu. Aq më shumë do të jem i nderuar, që si pjesëtar i një komuniteti joshumicë në Maqedoni do të mund të dëshmojmë se ne kemi sy dhe veshë për të gjithë në këtë vend dhe se nuk jemi tifozë të vetvetes, por jemi vetëmohues për interesin e përgjithshëm kulturor në Maqedoni. Mendoj se Maqedonia, edhe si shtet, por edhe komunitetet e veçanta në të, e ka shansin ideal që të promovojë vlera kulturore që do të jenë model i kulturës së integruar europiane. Ne kemi mjaft histori, mjaft vlera dhe mjaft rrëfime që na nderojnë dhe ato duhet të prezantohen në mënyrën më të mirë para botës. Kemi mjaft punë…

Almakos: Po për kulturën shqiptare në Maqedoni a keni ndonjë gjë që mund ta presin shqiptarët admirues të kulturës?

Ademi: Mendoj se për shqiptarët në Maqedoni është me mjaft interes të kenë ministër të Kulturës një shqiptar, që t’ua dijë dhe qajë hallin. Ndërsa kjo gjë po ndodhë gati pas dhjetë viteve. Ndërkohë e dimë se vetëm projekti “Shkupi 2014” sa e ka etnizuar kulturën në Maqedoni dhe sa i ka lënë shqiptarët dhe bashkësitë e tjera etnike në Maqedoni në margjina. Duke e ndjerë këtë diskriminim, do të orvatem të jem i drejtë ndaj të gjithëve, rrjedhimisht edhe ndaj kombit tim. Artistët dhe aktorët e jetës kulturore në Maqedoni, pra edhe shqiptarët, dua të jenë të bindur se askujt nuk do t’i bëjmë padrejtësi, pavarësisht bindjeve politike, por do të vendosim standarde që do të kërkojmë të respektohen nga të gjithë, që të mos lejojmë projekte “nëpër kapixhik”, por të mësohemi të punojmë dhe të funksionojmë në mënyrë institucionale. Unë e di si është gjendja me librin shqip, me dramën shqipe, me filmin në gjuhën shqipe, me muzetë, me galeritë e arteve, më shtëpitë e kulturës, me bibliotekat etj., ashtu që do të orvatem të bëjmë projekte që do të jenë edhe në dobi të shqiptarëve, por edhe të shtetit në përgjithësi, por – po e ritheksoj – pa e diskriminuar ndonjë komunitet tjetër vetëm për shkak të përkatësisë etnike. Do të jem ministër i Kulturës së të gjithëve në Maqedoni.

Share





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Share