Main Menu

BE-ja: Izraeli fuqi okupatore, t’u japë fund politikave për kolonët çifutë në Bregun Perëndimor

Bashkimi Evropian ka reaguar të enjten kundër shkatërrimit të disa komplekseve të banimit për familjet palestineze, të cilat janë ndërtuar me financime nga BE-ja në Bregun Perëndimor nën pushtimin izraelit.

“Misionet e Bashkimit Evropian në Jerusalem dhe Ramallah po ndjekin me shqetësim shkatërrimin në fillim të majit nga autoritetet izraelite të komplekseve banuese të palestinezëve, të cilat janë financuar nga BE-ja dhe ndodhen në Musafir Yatta, Zona ‘C’ e Bregut Perëndimor”, thuhet në një komunikatë të përbashkët me shkrim të lëshuar nga Përfaqësia e Bashkimit Evropian në Jerusalem dhe misioni diplomatik i tij në Ramallah.

Komunikata në fjalë thekson se Zona “C”, e cila përbën 80% të territorit të Bregut Perëndimor, është nën kontrollin e Izraelit dhe shton: “Aty kanë mbetur pa shtëpi 40 palestinezë, që përpiqeshin të mbijetonin në këtë kompleks banimi.”

Mes të tjerash, në komunikatë tërhiqet vëmendja se autoritetet izraelite kanë konfiskuar gjithashtu sistemet e energjisë diellore dhe ato të filtrimit të ujit të palestinezëve.

“BE-ja, bazuar në kundërshtimit e saj të fuqishëm të politikave izraelite për kolonët çifutë, përfshi këtu aktet e shkatërrimit, konfiskimit, evakuimit dhe dëbimit me dhunë nga shtëpitë, e fton Izraelin, si fuqi okupatore që kërcënon zgjidhjen me dy shtete, që t’u japë fund aktiviteteve të rrënimit dhe konfiskimit të banesave të palestinezëve, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, vijon komunikata e përbashkët e Përfaqësisë së Bashkimit Evropian në Jerusalem dhe misionit diplomatik i tij në Ramallah.

Në fund, pasi bën thirrje për rindërtimin e komplekseve të shkatërruara dhe kthimin e pronave të konfiskuara nga autoritetet izraelite, komunikata e BE-së kërkon gjithashtu nga Izraeli që t’u japë fund urgjentisht politikave të ndërtimit të njësive banuese për kolonët çifutë dhe aktiviteteve të konfiskimit të pronave të palestinezëve për t’i vënë ato në shërbim të çifutëve.

Share





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Share