Main Menu

Modeli islam në emancipimin e gruas

Kur flitet për gruan dhe emancipimin e saj, të gjithë njerëzit me arsye të shëndoshë pajtohen me faktin se mbi supet e gruas rëndojnë padrejtësi që shtrihen nga kohët e lashta e deri sot në ditët tona. Gjithashtu, pajtohemi me faktin se tashmë gruaja është shndërruar në një kauzë dhe se emancipimi i saj, edhe pse lidhet me atë të burrit, ka nevojë për më shumë vëmendje dhe për një qasje specifike. Por ajo që ka shkaktuar mosmarrëveshje dhe debate, në nivel ndërkombëtar, është modeli ideal i cili i mundëson gruas emancipimin e vërtetë. Sot na ofrohet modeli perëndimor ekstrem, modeli i lëvizjeve feministe të cilat duan që gruaja të fokusohet tek vetja, duke u rebeluar kundër natyrës së saj femërore me të cilën e ka krijuar Zoti, kundër burrit dhe kundër vlerave dhe feve. Ky është një model i cili ka arritur kulmin e ekstremizmit. Ekziston dhe një model tjetër, ai tradicional, ai i izolimit dhe kufizimit, zakonet dhe tradita e të cilat i janë veshur fesë.

 

Modeli i mesëm i emancipimit të gruas 

Por ekziston dhe një model i mesëm dhe i balancuar, i cili shpreh qasjen islame ndaj emancipimit të gruas dhe që buron nga tekstet, logjika dhe drejtësia e Kur’anit, i cili i ka dhënë gruas të drejtat e saj të plota dhe e ka barazuar me burrin, pasi ajo dhe burri rrjedhin nga Ademi a.s. Kur’ani i ka besuar gruas të njëjtin amanet që ia ka besuar burrit, amanetin e mbarëvajtjes së jetës në tokë. Ai e ka barazuar gruan me burrin në nderimin dhe fisnikërinë që u ka bërë të dyve. Ai i ka barazuar në obligime, mbajtjen e përgjegjësive dhe shpërblimin… E gjitha kjo, duke marrë parasysh dallimet fizike dhe psikologjike mes mashkullit dhe femrës. Vetëm duke njohur dhe pranuar këto dallime njeriu vlerëson begatinë hyjnore dhe realizon lumturinë e vet, pasi vetëm kështu përballet secila palë me tjetrën. E po të ishin të dy njëlloj, pa asnjë dallim, nuk do të ishte tjetër, nuk do ndjente dëshirën për ta pasur dhe mallin për ti qëndruar pranë. Barazia në përgjegjësinë e mbajtjes së amanetit, dinjitetit, aftësisë, detyrimeve, llogarisë dhe shpërblimit, pjesëmarrjes në detyrimet sociale… është barazi e dy palëve që dallojnë nga njëri-tjetri dhe jo dy palëve krejtësisht unike.

Ky model i mesëm buron nga tekstet dhe logjika e Kur’anit Fisnik, i cili e konsideron burrin si pjesë të gruas dhe gruan si pjesë të burrit. “Pjesë e njëri-tjetrit[1]. Secilën palë, Kur’ani e portretizon si petk për palën tjetër. “ato janë petk për ju dhe ju jeni petk për to[2].

“ju i jeni dhënë njëri-tjetrit dhe kur ato kanë marrë nga ju besë të fortë?”[3].

Lidhjet e kësaj bese mes dy bashkëshortëve, e cila është besë e natyrës së pastër njerëzore, i bashkojnë nenet e saj të cilat përbëhen nga miqësia, dashuria, mëshira, qetësia… “Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.[4]

Kjo qasje e mesme ndaj emancipimit të gruas dhe ruajtjes së feminilitetit të saj, bazohet gjithashtu tek praktikat profetike që rridhnin nga logjika e Kur’anit. Këto praktika të cilat e emancipuan gruan myslimane dhe e çliruan atë nga varrosja për së gjalli, e shndërruan atë në një forcë aktive në ndërtimin e familjes, shtetit dhe civilizimit islam, e bënë atë pjesëmarrëse në të gjitha fushat e jetës dhe të fesë. Diçka të tillë e gjejmë që ditët e para të lindjes së diellit islam.

Ky model i mesëm buron edhe nga ixhtihadi islam bashkëkohor, i cili i njeh të gjitha të drejtat gruas, njëkohësisht të gjitha meritat si palë e denjë në projektin zhvillimor të linjës së përtëritjes dhe rilindjes. E gjitha kjo, duke u mbështetur tek Kur’ani Fisnik dhe praktikat fillestare të emancipimit islam të gruas, me të cilat vlen të krenohesh.

 

Modele nga ditët e para të Islamit 

  • Hadixheja, Zoti qoftë i kënaqur me të, është model dhe fryt i emancipimit që islami i bëri gruas. Falë këtij emancipimi, ajo la pas shumë burra si në fushën e besimit ashtu dhe atë të thirrjes islame të porsalindur. Falë këtij emancipimi ajo u shndërrua në burimin mbështetës më të madh të thirrjes islame, si me pasuri, urtësi dhe me ndjenja. Aq i madh ishte kontributi i saj saqë viti në të cilin vdiq, u quajt viti i dëshpërimit.
  • Modeli i dytë është Esmaja, e bija e Ebu Bekrit, e cila edhe ajo ishte fryti i këtij emancipimi. Asaj iu besua sekreti i migrimit të profetit Muhamed a.s. nga Meka në Medine, gjë e cila ishte një ndër ndryshimet më të rrezikshme të thirrjes islame, shtetit dhe umetit mysliman. Ajo ishte pjesëmarrëse në këtë ngjarje të rëndësishme. Ajo mbështeste fuqishëm edhe të shoqin e saj, Zubejr ibnu Avam, duke u kujdesur për shtëpinë e tij, i punonte tokën, kujdesej për kalin dhe ndonjëherë mori pjesë edhe në beteja bashkë me të. Ajo e edukoi dhe e përgatiti djalin e saj për tu përballur me diktatorët si Haxhaxh ibn Jusuf Thekafij. Me gjithë këto kontribute madhore, Esmaja mbeti femër e cila i përmbahej veshjes islame dhe lindore, nuk vishte rroba që përshkruanin trupin e saj dhe ruante nderin e të shoqit.
  • Shifa bintu Abdullah el-Kurejshije, ishte një nga frytet e modelit islam të emancipimit të femrës. Ajo është nga gratë e para që përqafoi islamin, i pati dhënë besën Profetit a.s., dallohej për urtësinë dhe dijet, u mësonte grave lexim e këndim, transmetonte thëniet profetike, debatonte me Profetin a.s., ndonjëherë e fajësonte Profetin a.s. dhe ai i kërkonte falje. Në kohën e kalifatit të Omer ibnul Hatab, iu besua kontrolli i të gjithë tregut (hisba), ishte ajo që kontrollonte çmimet dhe ndante mosmarrëveshjet mes blerësve dhe shitësve. Hisba është një institucion i ngjashëm me ministrinë e tregtisë të ditëve tona.
  • Umu Hani përqafoi Islamin vitin e çlirimit të Mekës. Edhe pse i shoqi kishte qenë idhujtar dhe u largua asokohe nga Meka, ajo, si besimtare, mori në besën e saj dy burra mekas të cilët kërkoheshin nga myslimanët. Ajo u përball me të vëllain e saj, Ali ibnu ebi Talib dhe nuk e lejoi kur u orvat ti marrë dhe ti çojë para drejtësisë. Madje ajo u përlesh me të, e mundi dhe e lidhi. Mandej vajti tek Profeti a.s. dhe i tregoi se kishte marrë në besën dhe mbrojtjen e saj dy mekasit dhe Profeti a.s. iu përgjigj: “Besa jote besa jonë o Umu Hani, por mos e zemëro Aliun!” Umu Hani e zgjidhi të vëllanë e lidhur dhe Profeti a.s. vajti dhe e ngacmonte me fjalët: “Të mundi dhe një grua..” Profeti a.s. e pranoi besën që kjo grua u kishte dhënë dy idhujtarëve armiq mekas edhe pse ishte në momente triumfi, në ato momente kur zakonisht ushtritë triumfuese derdhnin gjak pa hesap dhe shkelnin çdo kufi njerëzor. Ai e vlerësoi aktin e kësaj zonje dhe e pranoi besën që kishte dhënë.
  • Aisheja, vajza e Ebu Bekrit, edhe ajo ishte fryt i modelit të këtij emancipimi islam të gruas. Paralelisht me të qenët bashkëshorte e dashur dhe e dhembshur, ajo ka transmetuar një pjesë shumë të madhe të thënieve profetike, njihte shumë mirë Ligjin Islam, debatonte me njerëzit më të ditur, kishte shije artistike, merrej me sportin e ecjes së shpejtë bashkë me Profetin a.s.
  • Hasa, vajza e Omer ibnul Hatabit dhe bashkëshortja e Profetit a.s. Ajo përqafoi Islamin në Mekë, mësoi Kur’anin përmendësh dhe unifikoi kopjet e Kur’anit gjatë kalifatit të Ebu Bekrit. U angazhua me çështje të opinionit publik sidomos pas atentatit që iu bë të atit të saj, ishte shumë e njohur në krijimtarinë poetike, mbante predikime mes njerëzve rreth vlerave të Ebu Bekrit dhe Omerit, kishte mendimet e saj në përzgjedhjen e udhëheqësit politik, besës që u jepej etj.
  • Nesibe bintu Kab el-Ensarije, Zoti qoftë i kënaqur me të, ishte një fryt rrezatues i emancipimit islam të gruas. Ajo mori pjesë në besën e Akabesë, e cila hodhi themelin e Shtetit Islam. Në këtë dimension, ajo manifestoi maksimumin e besnikërisë politike, edhe pse bëhet fjalë para katërmbëdhjetë shekujsh. Gjithashtu, ajo ishte pjesëtare e besës në Hudejbije, duke dhënë besën për jetë a vdekje, pas përhapjes së fjalës se kurejshët kishin vrarë përfaqësuesin e myslimanëve që Profeti a.s. kishte dërguar tek ata, Othman ibn Afanin. Ditën e betejës së Uhudit, ajo ishte mes dhjetë burrave të cilët qëndruan dhe nuk e braktisën sheshin e betejës, pasi mbronin profetin Muhamed a.s. Pasi i ishte thyer dhëmbi dhe ishte gjakosur në kokë, Profeti a.s. e sheh Nesiben me krahë të përveshur dhe me rrobën e lidhur për mesi duke luftuar në mbrojtje të tij. Ajo i kishte zënë rrugën Ibnu Kamie i cili orvatej të shkojë të vrasë Profetin a.s. dhe këlthiste: “Ku është Muhamedi? Mos dalsha i gjallë nëse shpëton ai!” Ajo e priti me supin e saj një shpatë që Ibnu Kamie ia drejtoi Profetit a.s. Bashkë me të, në këtë betejë ishte dhe nëna e saj e cila u mjekonte plagët, por edhe i biri i cili pasi mori një plagë dhe ajo vetë ia mjekoi, i tha: “Ngrihu tani dhe shko e lufto!” Kur mori plagën në sup, Profeti a.s. iu afrua djalit të saj dhe i tha: “Shko tek jot ëmë dhe mjekoi plagën! Zoti e bekoftë familjen tuaj!” Profeti a.s. u thirri burrave të tjerë që po largoheshin nga sheshi dhe u kërkoi ta ndihmojnë, mandej iu drejtua asaj me fjalët: “E kush tjetër e përballon këtë që po përballon ti o Umu Amare?!” Më vonë, Profeti a.s. e përmendte shpesh herë duke thënë: “Qëndrimi i Nesibes në Uhud, është më i mirë se qëndrimi i filanit e filanit. Sa herë që kthehesha majtas ose djathtas do e shihja atë duke më mbrojtur.”Atë ditë, Nesibe mori trembëdhjetë plagë në trupin e saj dhe teksa largoheshin pas betejës, i tha Profetit a.s.: “O i dërguar i Zotit! Lute Zotin që të jem në shoqërinë tënde në xhenet!” Profeti a.s. u lut: “O Zot bëji këta të gjithë shoqëruesit e mi në xhenet!” Ajo shtoi: “Për Zotin tashmë nuk dua t’ia di për vuajtjet dhe lëndimet e kësaj bote.”
  • Esma bint Jezid ibn Seken el-Ensarije, Zoti qoftë i kënaqur me të, edhe ajo është një nga myslimanet të cilat u emancipuan nga shkolla kur’anore dhe ajo profetike. Ajo bashkë me Umu Amare ishin pjesëmarrëse në besëlidhjen e parë të Akabes, besëlidhje e cila hodhi gurët e parë të themelimit të Shtetit Islam. Gjithashtu, atë e gjejmë edhe në marrjen e Mekës nga myslimanët. Ajo ishte pjesë e ushtrisë në Jermuk dhe në marrjen e rajonit të Shamit, ku vrau shtatë ushtarë me hekurin e çadrës ku pushonte. Njihej për mendjemprehtësi, gjykim të drejtë dhe urtësi. Ajo ishte shumë oratore, saqë kur predikonte dukej sikur dridhej foltorja. Kishte aftësi organizative të grave besimtare, e gjeje gjithmonë në krye të lëvizjeve për të drejtat që u takonin grave, saqë në librat e traditës profetike njihet si “Përfaqësuesja e grave”. Ndërkohë që një ditë Profeti a.s. ishte mbledhur me burrat në xhami, ajo hyn brenda dhe i thotë: “Unë përfaqësoj një numër të madh grash të cilat qëndrojnë pas meje. Ato mendojnë siç mendoj unë dhe thonë atë që them unë. Zoti të ka dërguar si te burrat ashtu dhe te gratë, por mesa shohim burrat të kanë monopolizuar. Ne duam që të caktosh një ditë për ne gratë që të na japësh mësim.” Dhe Profeti a.s. ua premtoi diçka të tillë dhe caktuan dhe ditën e mësimit. Ajo transmeton mbi tetëdhjetë hadithe nga Profeti a.s.

Këto ishin vetëm disa nga modelet dhe shembujt të cilët mishëronin emancipimin e vërtetë islam të gruas që në ditët e para të lindjes së diellit të civilizimit islam.

 

Gruaja në civilizimin islam 

Ditën që profeti Muhamed a.s. ia dorëzoi shpirtin e tij Krijuesit, numri i përgjithshëm i myslimanëve ishte diku te 124.000. Studiuesit që janë marrë me jetën e atyre të cilët ishin më pranë Profetit a.s. dhe që kishin kontribut të madh në përhapjen e mirësisë hyjnore, dolën me një numër prej tetë mijë personash të përzgjedhur, ku mbi një mijë prej tyre ishin gra. Kjo na lë të kuptojmë se emancipimi islam i kishte shtyrë gratë drejt suksesit, saqë në çdo tetë burra nga më të përzgjedhurit dhe më me shumë kontribut, më shumë se një ishte grua. Kjo është përqindja më e madhe e grave që është shënuar pas çdo revolucioni, emancipimi dhe rilindje.

Nëse erërat e injorancës paraislame, kanë arritur që ti rikthejnë disa zakone dhe tradita që dominonin botën para Islamit, ato nuk kanë arritur të prevalojnë mbi arritjet e emancipimit islam të gruas. Shpirti i këtij emancipimi dhe frytet e tij vërehen edhe në kohën e regresit të civilizimit islam, regres i cili ka pllakosur botën islame. Edhe në këto kushte të rënda, jeta jonë sociale ofron modele grash të cilat depërtojnë në fusha të ndryshme të jetës, si ajo e shkencës së hadithit, fikhut, letërsisë etj.

Kur historiani Omer Rida Kehale numëroi personalitetet femra të cilat kishin dhënë kontribut të vyer në civilizimin islam, gjeti se numri i tyre, vetëm në rajonin e vendeve arabe, ishte mbi tre mijë, duke ditur se bota arabe përbën vetëm një të pestën e asaj islame.

Është e vërtetë që numri i personaliteteve gra në historinë dhe civilizimin islam duhet të ishte shumë herë më i madh sesa është, krahasuar me numrin e personaliteteve gra gjatë periudhës profetike. Megjithatë, ky numër mbetet një dëshmi e pakontestueshme e modelit që ofron Islami në emancipimin e gruas. Ai është një dekoratë nderi në kraharorin e civilizimit islam me të cilin mburret dhe krenohet para të gjithë civilizimeve të tjera.

Një model i tillë tregoi qëndrueshmëri të fortë përballë vërshimit të zakoneve dhe traditave aspak fetare të cilat prevaluan në periudhën e regresit civilizues, duke qëndruar aktiv në të gjithë historinë islame. Ai ka filluar të rikthehet fuqishëm në kohët moderne.

 

Mesazh i Islamit, mesazh ripërtëritës 

Civilizimi islam dëshmoi praktikisht se islami erdhi për të ripërtërirë të gjitha fushat e jetës. “O ju që keni besuar, përgjigjuni Zotit dhe të dërguarit të Tij, kur u ftojnë në ato gjëra që u japin jetë”[5].

Civilizimi islam prodhoi njerëz të dijes dhe të shkencës në të gjitha sferat e jetës, astronomi, natyrë, matematikë, algjebër, inxhinieri, mjekësi, farmaci etj… dhe kjo akoma pa kaluar një shekull nga lindja e diellit të Islamit. Këto, pa përmendur shkencat fetare, sociale, humane, artet dhe letërsinë. Civilizimit perëndimor iu deshën 14 shekuj për të parë shkencëtarin e parë në astronomi.

Besimi dhe ftesa islame startoi me Hadixhen, e cila është personi i parë që besoi në mesazhin e profetit Muhamed a.s. Që atëherë, kontributi i gruas myslimane ka qenë evident në çdo periudhë të historisë islame.

Misioni i mesazhit të arsyes islame është që ta mbrojë shoqërinë nga bataku i imitimit të verbër të tjetrit. Kjo, qoftë për imitimin e emancipimit të ekzagjeruar perëndimor dhe që bie ndesh me vlerat e natyrës së pastër, qoftë për imitimin e zakoneve dhe traditave sociale primitive. Modeli i mesëm që ofron Islami për emancipimin e gruas, ruan natyrën e pastër femërore me të cilën Zoti e ka krijuar femrën.[6]

Përktheu:

Elmaz Fida

[1]. Al Imran, 195.

[2]. Bekare, 187.

[3]. Nisa, 21.

[4]. Rum, 21.

[5]. Enfal, 24.

Share





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Share