Kryetari i Akhisarit me bashkëpunëtorët e tij për vizitë në Komunën e Gostivarit

Kryetari i komunës së Akhisarit të Republikës së Turqisë, Sali Hızlı, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, vizitoi sot komunën e Gostivarit ku u prit nga kryetari Arben Taravari dhe anëtarët e kabinetit të tij.

“Në komunën e Gostivarit, sipas regjistrimit të fundit, jetojnë mbi 82 mijë banorë, ku shumicën e popullsisë e përbëjnë shqiptarët, ndërsa pasojnë maqedonasit, turqit dhe romët. Bashkësitë etnike në Gostivar jetojnë në një harmoni të shkëlqyer, e sidomos shqiptarët dhe turqit të cilët kryesisht njohin gjuhën e njëri-tjetrit dhe festat, dasmat dhe varrimet i bëjnë bashkë. Gostivari dhe Akhisari janë dy komuna të vëllazëruara dhe bashkëpunimin i cili daton prej shumë herët, me siguri se do ta thellojmë akoma më shumë dhe do ta shtrijmë në më shumë fusha”, theksoi Taravari në takimin në sallën e Këshillit të Komunës së Gostivarit, duke ftuar pjesëtarët e delegacionit që gjatë qëndrimit në Gostivar të ndjehen si në qytetin e tyre.

Edhe kryetari i komunës së Akhisarit bëri një prezantim të komunës me të cilën ai udhëheq tashmë tre mandate. “Komuna e Akhisarit ka rreth 170 mijë banorë dhe 109 vendbanime. Viteve të fundit kemi pasur një zhvillim të madh ekonomik, shoqëror dhe kulturor. Por në Gostivar nuk vijmë që vetëm të përcjellim përvojat tona, por edhe të mësojmë nga përvojat tuaja. Kemi dëshirë që një delegacion i gjerë nga komuna e Gostivarit të na vizitojë kështu siç ju vizitojmë ne juve, ndërsa për këtë do t’ju bëjmë së shpejti edhe ftesë zyrtare”, theksoi mes tjerash z. Hızlı.

Ndryshe, delegacioni i komunës së Akhisarit përbëhej prej udhëheqësve të sektorëve pranë komunës dhe të disa këshilltarëve komunalë. Gjatë qëndrimit në Komunën e Gostivarit, u zhvillua një bashkëbisedim i gjerë me ç’rast të dyja palët u njoftuan më për së afërmi me sukseset dhe sfidat e komunave përkatëse, si dhe u shkëmbyen përvoja pozitive. Kryetarët Taravari dhe Hızlı shkëmbyen dhurata të cilat simbolizojnë komunat të cilët ata i udhëheqin, ndërsa takimi përfundoi me një koktej rasti. Gjatë qëndrimit në Gostivar, delegacioni nga Akhisari do të vizitojë SHF “Mustafa K. Ataturk”, Muftininë e Gostivarit dhe monumentet e trashëgimisë kulturore.

Share





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Share