Real-PSZH, përballja mes dy pretendentëve për trofeun e Çampions

Reali i Madridit ka fituar dy edicionet e fundit të Çampions, por këtë sezon po zhgënjejnë në La Liga dhe kjo ka vënë në dyshim edhe rrugëtimin e tyre në Evropë. Por, për trajnerin Zinedin Zidan asgjë nuk është e pamundur, madje ai është optimist për kalimin e turit, duke deklaruar se ka një ekip të fortë.

“E kam gati formacionin me të cilin do të luajë ndaj PSZH-së. Nuk kam asnjë dyshim”, tha Zidan. Krejt ndryshe nga kolegu i tij Unai Emeri, që tha se ka shumë dyshime për këtë sfidë. “Të gjithë janë gati për të luajtur të mërkurën në Çampions, por unë nuk do të zbuloj asgjë deri para fillimit të takimit. Të gjithë janë gati për luftë dhe kjo është e rëndësishme, pasi duam të tregojmë se kush jemi, pavarësisht rezultateve jo fort të mira këtë sezon”, deklaroi trajneri francez.

Në anën tjetër, në sezonin 2012-2013, parisienët u kualifikuan në Ligën e Kampionëve, për herë të parë, pas shtatë sezoneve. Që atëherë, ata gjithmonë kanë shkuar deri në çerekfinale, përveç sezonit të kaluar, kur u rrëzuan në raundin e dytë kundër Barcelonës. Nëse Real Madridi luan sezonin në këtë ndeshje, në Francë thuhet se PSZH-ja luan një pjesë të madhe të projektit. Derisa, Nejmar, emblema e madhe e klubit, nuk ka frikë nga sfida.

“E di që ne kemi potencial për të bërë një edicion të shkëlqyer në Ligën e Kampioneve. Ky kompeticion është shumë i rëndësishëm në historinë e një klubi, edhe për një lojtar. Unë kam ardhur këtu për këtë trofe, për të hyrë në histori, për të bërë më të mirën me PSZH-në. Ne shpresojmë për një lojë të mrekullueshme, Madridi na motivon maksimalisht”, pohon Nejmar. Edhe pse janë të shumtë ata që mendojnë se PSZH është favorite, trajneri Unai Emery ka kujtuar se madrilenët kanë shumë lojtarë që janë vendimtarë në momentet e rëndësishme. “Real Madridi është skuadra më e mirë në botë, për sa i takon trofeve të fituar dhe se kanë lojtarët më të mirë”, ka thënë ai në konferencë për shtyp. “Kristiano Ronaldo është një shembull. Lojtarët e mëdhenj i tregojnë vlerat e tyre në ndeshjet e mëdha. Ata kanë lojtarë të tillë, ashtu si ne”, tha Emeri.

Ndryshe, ish-lojtari i Realit dhe tani i PSZH, Angel Di Maria ka paralajmëruar “Los Blancos” duke thënë se Parisi është më i fortë se një vit më parë. “Jemi më të fortë se sezonin e kaluar”, shprehet argjentinasi për faqen zyrtare të klubit parisien. “Të duhet më shumë se talent në ndeshje të tilla. Duhet edhe pak fat për të fituar. Reali është një ekip i madh dhe gjithmonë paraqitet mirë në Çampions Ligë. Ata nuk luajnë për të kontrolluar topin, ndeshjet ndaj Real Madrid janë shumë të vështira për të kontrolluar topin. Çelësi është të luajmë lojën tonë, ashtu siç kemi luajtur gjatë gjithë sezonit. Duhet të jemi të fokusuar në mbrojtje pasi ata mund të të ndëshkojnë në çdo moment. Është një kompeticion komplet ndryshe nga kampionati”, deklaroi Di Maria.

Ndërkohë, në përballjen tjetër, e cila është nën hije të përballjes në “Bernabeu”, Porto do të pret skuadrën e Liverpulit.

Share





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Share