Artistja që hapëroi përtej kohës së vet

Një rreze dielli që ka çarë mjegullën e mëngjesit sikur më jep shpresë se kjo ditë e vjeshtës së vonë do të sjellë ngrohtësi në zemrën time. Nga dritarja e vështroj malin e ngulfatur me gjethet e drurëve që dita-ditës zhvishen nga hijeshia përrallore, kurse brenda meje lëviz malli për stinën e verës, kur unë mbaja dritaren hapur duke e shijuar drejtpërdrejt peizazhin e bukur të kryeveprës natyrë. E çoj kokën lart për të parë nëse mjegulla do të largohet, por e kam të vështirë për ta soditur, andaj nisem të dalë përjashta dhe sapo e hapë derën, një erë e lehtë më përlan fytyrën, për të më bindur se fuqia e saj është e mjaftueshme për t’i shkulur edhe ato pak gjethe të pemëve të kopshtit tim… Eh sa frytdhënës që ishin këta drurë, sa të fortë, përplot lule, përplot aromë, përplot jetë, ndërkaq sot – të lënë pas dore, të plaçkitur, bile të braktisur edhe nga pjella e vet, nga degët, nga frytet, nga lulet, nga gjethet. Dikur këta drurë ishin të veshur me petkun ngjyra-plot, ndërsa sot qëndrojnë lakuriqë, si statuja, të vetmuar, në pritje të cingërimës, fraqit, acarit. E tillë është natyra, belbëzoj në vete, por i tillë është edhe vet njeriu: lind, ushqehet, rritet, zhvillohet, fuqizohet, gëzohet, mplaket, sëmuret, ligështohet, dobësohet dhe, në fund, mbulohet me dheun mbi të cilin e ka ndërtuar jetën… Ca pika shiu më ranë mbi flokë, ndërsa unë ngre kokën dhe shikoj që mjegulla është bërë sikur tymi, ka marrë ngjyrë hiri, është bërë më e dendur, e patejdukshme. Duke kundruar ashtu pamjen e zymtë, ca pika të tjera shiu ranë mbi buzët e mia të shkrumbuara nga zjarri i ëndrrave të djegura, nga një dëshirë e këputur, ashtu siç këputet gjethi prej pemës… Nuk e di përse në kokë tani më rrotullohet vazhdimisht melodia e veprës “Vjeshta” nga Rexho Mulliqi, ajo pjesë muzikore në masën kohore 6/8, në shkallën mi-minor, me ato zbukurime açakatura, me ato ngjyrime të tempit e të dinamikës, me atë emocion të fuqishëm!…

Derisa unë pres që të më lindë një shpresë për një stinë më të bukur, nga prapa më afrohet ngadalë nëna ime, duke më sjellë një lajm të hidhur: “Paska vdekë Hanife Sejfulla Reçani,… eh, sa më erdhi keq!”. “E di që prej kohësh ka qenë e sëmurë, por tani paska shpëtuar nga dhimbjet…”, ia ktheva unë duke shtuar: “Zoti i faltë dritë!”. “Të gjithë jemi të vdekshëm oj nënë…“, vazhdova unë, ndërkaq ajo iku brenda, sepse nuk donte të më shqetësojë me dhimbjen e saj për humbjen e artistes së madhe…

Nëna ime që moti e ka kuptuar bukurinë e pastër të muzikës së këngëtares nga Gostivari, andaj ka të drejtë të pikëllohet. Hiç më pak se ajo u pikëllova edhe unë, sepse m’u rrënua një pjesë e mozaikut tim jetësor. E kam dëgjuar me respekt dhe dashuri, sepse e tillë ishte vetë ajo, e dashur, e nderuar, e admiruar, artiste e një profili të lartë. Zëri i saj i ka mbushur me gëzim, me prehje shpirtërore, adhuruesit e këngës shqipe, sepse interpretimi i saj ishte origjinal, i bukur, i veçantë, ishte në harmoni me melosin burimor. Zëri i saj do të mbetet i përjetshëm në kujtesën e dëgjuesve, të cilët ditën e fillonin me valët e Radio Prishtinës dhe të Radio Shkupit, do të mbetet i pashlyeshëm në jetën e gjeneratave që u rritën dhe që jetuan me jehonën e këngëve të saja.

Hanife Sejfulla Reçani do të mbetet ikonë e muzikës së pastër shqiptare në tërë dimensionin jetësor, e paharrueshme me këngët: “Piku molla kuqe”, “Dil aty ku dole mbram’”, “Bien tri daire moj nanë”, “Çorapët me vija”, “Shkova n’krrue me mbush’ uje”, “Oj shamia e zezë”, “Kur do t’shkojsh termah moj cuco”, “Me gëzim po shkoj në punë“, “Këndojnë dy bilbilat, o, sabah në sabah”, “Moj fusha e Korabit”, “Fesi i çikës plot gylpana”, “Qe ku vin moj nan’ ushtria e mbretit”, “Karajfil në kashte“, “Çou moj Mahmudi”, “Ani po shkon vasha rreth Vardarit”, “Kënga e Hasimes” etj.

Meloditë e këngëve të saj janë të paharruara, përplot lirikë, me variacione ritmike dhe harmonike, këngë të pasura në kuptimin e tempit dhe të dinamikës, këngë me modulime, këngë që kjo entuziaste i ka kultivuar për ta dëshmuar afërsinë me kohën kur ato janë krijuar, pra, me të kaluarën, me adetet, me zakonet, me traditën e pasur dhe të larmishme të paraardhësve të saj. Në këngët e saj nuk ka shtrembërime dhe nuanca të huaja, andaj me plot të drejtë themi se ato e meritojnë vëmendjen edhe të publikut të zgjuar edhe të studiuesit të mirëfilltë të folklorit muzikor.

Hanife Sejfulla Reçani ishte këngëtare me intonacion të pastër, me diksion të saktë, me ndjeshmëri të theksuar në vargun melo-poetik. E përfshirë nga vrulli i madh për punë, ajo kërkonte njohuri të reja për përsosjen e teknikës së interpretimit, andaj e shijonte jetën në kërkim të këngëve të panjohura. Me këtë rast dua t’i referohem një shkrimi të Demir Krasniqit, që flet për takimin e tij me zonjën Hanife në fillimvitet e shtatëdhjeta të shek. XX gjatë incizimeve në Radio-Prishtinë, kur për herë të parë është regjistruar prej saj kënga “O moj dukane”, e shpalosur si një dhuratë e çmuar nga tabani popullor i zonës së Gostivarit. Ai thotë se, atëherë, në mesin e njerëzve të muzikës dhe punëtorëve të kulturës është ngjallur menjëherë interesi për një hulumtim më të thellë në rrafshin etnomuzikologjik të hapësirës së Pollogut, që është shumë e pasur edhe me elemente të traditës fshatare edhe të asaj qytetare.

Në një emision e pata dëgjuar zonjën Hanife duke thënë se e ka braktisur zëri, por jo edhe optimizmi. Edhe pse i bindur për moshën e saj, nuk doja ta pranoj faktin që kjo grua fisnike, dikur e mbushur përplot vrull, përplot punë, përplot buzëqeshje, përplot karrierë, të dorëzohet aq lehtë përpara portretit të vet përplot dhunti, talent, muzikalitet dhe origjinalitet.

E bindur në faktin se tradita është një nga burimet themelore të lidhjes dhe të bashkimit, faktor kyç në ruajtjen e identitetit dhe dinjitetit, kulturës, gjuhës, muzikës, si dhe forca kryesore për ta vështruar të ardhmen, Hanife Sejfulla Reçani ka arritur që, mes tjerash, t’i thyejë edhe tabutë duke bërë hapa të rëndësishëm në emancipimin e femrës shqiptare, e cila vuante nga paragjykimet e shoqërisë dhe të ambientit rrethues. Ajo me sjelljen e guximshme dhe të vendosur hapëroi përtej kohës, bëri revolucionin kulturor duke i dhënë jetës publike më tepër laramani dhe seriozitet, më tepër ndjeshmëri dhe kualitet. Ajo e bëri këtë sepse ishte grua punëtore, me zemër fisnike dhe me mendje artisteje. E ka dashur familjen, vendlindjen, i ka dashur miqtë, por mbi të gjitha e ka dashur muzikën. Secilës këngë të kënduar i ka dhuruar pjesë të qenies së vet, i ka dhuruar ndjeshmërinë e përzemërt dhe ngrohtësinë e vërtetë njerëzore…

Derisa po lundroj nëpër kujtimet e bukura të shoqëruara me biografinë e zonjës Hanife, shiu fillon të bjerë me një intensitet më të madh, duke i rrëzuar përtokë gjethet, kurse së bashku me gjethet ranë edhe ca degë të drurëve sa për të ma ndërprerë rrugëtimin nëpër një jetë me muzikë. Kthehem brenda në dhomë dhe i them nënës sime: “Të mos thellohemi në hallet e personazhit të këngës, por në melodinë hyjnore përmes lutjes: O zot, bëre Hanife Sejfulla Reçanin banore të parajsës, sepse ideali i saj ishte në harmoni me parimet e Tua!”./Bekim RAMADANI, Tetovë

Share





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Share