Bannon: Trump ka luajtur mendsh

Një tradhti. “Një takim tradhtar dhe antipatriotik. Një m… i shëmtuar”. Steve Bannon flet pa dorëza, ish “Rasputini” i Donald Trump, që në gusht u dëbua nga Shtëpia e Bardhë.

Bannon ka folur në lidhje me hetimin e famshëm të “Russiagate”. Më konkretisht, për takimin e qershorit 2016 të djalit të Presidentit, Donald Jr., dhëndrit Jared Kushner dhe bashkëpunëtorëve të presidentit të ardhshëm, me të dërguarit e Kremlinit, të cilët premtonin lajme njollosëse për Hillary Clintonin.

Dhe Bannon ofron parashikime shumë të zymta mbi ndikimin e hetimit, në lidhje me ndërhyrjet ruse në zgjedhjet e fundit. “Do ta shtypin Donald Jr. si një vezë”, thotë në lidhje me djalin e madh të Presidentit. “Hetimi po lëviz në binarët e riciklimit të parave të pista”, shpjegon ai. Dhe më tej, bën ironi për qasjen e butë të Shtëpisë së Bardhë: “Rrinë ulur në plazh, duke shpresuar të ndalin një uragan të kategorisë 5”.

Këto pohime-bombë të Bannon mbi “Rusiagate” gjenden në një libër mbi Shtëpinë e Bardhë të Trumpit, shkruar nga Michael Wolff, me titull “Zjarr dhe tërbim: Brenda Shtëpisë së Bardhë të Donald Trumpit”. Libri ka shkaktuar një tërmet. Editorialist, biograf i Murdoch, ekspert i marrëdhënieve mes medies dhe politikës, Wolff ka intervistuar për vëllimin e tij 200 persona, përfshirë vetë presidentin.

Ka rrëfyer për ambiciet presidenciale të Ivankës. Ka përshkruar anën “fëmijërore” të Trumpit, me cektësinë e tij sistematike.

Por kanë qenë deklaratat e Bannon mbi “tradhtinë e Donald Jr. – botuar nga e përditshmja britanike The Guardian – që kanë bezdisur Trumpin. I cili dje e ka kundërsulmuar menjëherë, duke hapur një duel politik. “Bannon nuk ka fare të bëjë me mua dhe presidencën time. Ka humbur jo vetëm vendin e punës, por edhe mendjen”, ka thënë ai në një deklaratë, duke akuzuar ish krahun e djathtë se përhap lajme të rreme si dhe për paudhësi të tjera, duke hapur me të një përplasje frontale, e cila mund të ketë pasoja politike.

I lindur në vitin 1953, ish bankier i “Goldman Sachs”, gazetar, drejtues politik dhe nacionalist i thekur, Bannon kish qenë vendimtar për fitoren e Trumpit edhe pse dje Presidenti u përpoq të minimizonte rolin e tij. Në Shtëpinë e Bardhë ishte kurorëzuar Krye-Strateg dhe shihej gjithmonë në Studion Ovale. Por më pas pozicionet e tij ekstreme, një rivalitet i hapur me Ivankan dhe Kushnerin dhe ardhja e gjeneralit John Kelly, e detyruan që të largohet.

I rikthyer tek “Breitbart News”, portali i të djathtës që kishte drejtuar prej vitesh, vazhdoi të mbështesë grupet më nacionalistë. Ishte mbështetës i kandidaturës së pafat në Alabama të Roy Moore, gjykatësi republikan, racist dhe me një dobësi për vajzat e mitura.
Pavarësisht figurës së keqe të bërë në Alabama, Bannon vazhdon të bëjë të flitet për të. Dhe në bisedën me Wolff sulmon enturazhin e Trumpit. Duke iu referuar gjithmonë takimit të qershorit 2016, thotë “Po si? Mendonin vërtetë ata tre bashkëpunëtorët më të ngushtë të Trumpit (Donald Jr., Kushner dhe Manafort) që ishte ide e mirë, të takoje një qeveri të huaj në kullën Trump, pa pasur as edhe një avokat? Duhej të lajmëronin menjëherë FBI-në dhe ta organizonin takimin në një motel në New Hampshire, si dhe të dërgonin përfaqësuesit ligjor…”.
Hetimi për ndërhyrjet ruse i është besuar prej muajit maj prokurorit special, Robert Mueller, që ka shtyrë tashmë gjykimin për katër bashkëpunëtorë të Trumpit.

Libri i Wolff përmban edhe një seri komentesh për Trumpin, sigurisht jo lëvdues, të bërë nga personazhe me peshë, e madje edhe nga disa aleatë të tij. “Është një idiot m…”, i kish thënë Rupert Murdoch, pas një takimi me Trumpin në dhjetor 2016, bashkë me një seri ndërmarrësish, në lidhje me temën e imigrimit.

Share





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Share