“Darka e thërrimeve” fituese në festivalin “Othello” në Gostivar

Muaji Nëntori e gjeti qytetin e Gostivarit me aktivitet kulturorë. Në Pallatin e Kulturës së këtij qyteti zbriti festivali “Othello”, i cili u mbajt për pesë net radhazi. Qytetarët e këtij qyteti dhe jo vetëm, patën rastin që të ndjekin nga afër vepra nën regjinë e regjisorëve më në zë të kohës në dramë. Përveç kësaj festivali kishte karakter garues me ç’rast u ndanë edhe çmime të ndryshme nga juria profesionale. Në juri ishin prezent emrat si: Sulejman Rushti, Ismet Ramadani dhe Muzafer Etemi.

Në natën e parë në skenë u paraqitën aktorët e teatrit të Durrësit “Aleksandër Moisiu” me dramën “Një jetë me ty”, nën regjin e Erion Kame, njëkohësisht edhe autor i veprës. Në të flitet një për çift bashkëshortor dhe si e shohin ata martesën. Ai dhe Ajo janë një çift i sapomartuar, në një formë të re të rrëfimit skenik, ata tregojnë historinë e tyre. Por secili e tregon ndryshe nga tjetri, me çka kjo i jep nota komike pjesës që luhet. Situata e tyre komplikohet kur hynë në lojë vajza e fotokopjes. Gruaja këtë situatë e interpreton krejtësisht ndryshe nga i shoqi. Sipas saj, kjo vajzë prish marrëdhënien e tyre. Pas një skene të një ngatërrese të madhe lidhja e tyre merr fund.

“Psikoza N’4:48” nën regjinë e Fatos Berishës u shfaq në Pallatit e kulturës në Gostivar, luajtur nga aktorët e teatrit “Adriana Abdullahu”, Ferizaj. Kjo dramë është e njohur si pjesa më e fragmentuar e saj, ku nuk ka asnjë tregim as personazhe, as edhe indikacione se sa aktorë do të luajnë në shfaqe. Është shkruar në kohën kur Sarah Kane (autorja) vuante nga depresioni i rëndë, siç e përshkruan miku dhe kolegu i saj David Greig. Si e tillë kjo dramë trajton temën e “mendjes psikotike”. Sipas Greig, titulli derivon nga ora 4:48, kur Kane, në gjendje depresive shpesh zgjohej nga gjumi.

Teatri i Shkupi solli dramën “Darka e thërrimeve”, me autor Refet Abazi dhe nën regji të Qendrim Rijanit. Përpëlitje apo luftë mes jetës dhe vdekjes? Vallë, cila është jeta e vërtetë?! Cili është çelësi për të arritur deri te lumturia e jetës! Është dashuria apo urrejtja ajo e cila na bën të humbim raportin me kohën që na është dhënë si dhuratë për të jetuar apo për të mos jetuar këtë jetë. Këta janë disa nga dilemat që i çon “Darka e thërrimeve”.

Nata e katër ishte nata e Teatrit “Artpolis” së Prishtinës, me pjesën “Copë Copë”. Kjo shfaqe (Procesi i kujtesës dhe transformimi i dhimbjes) është performancë teatrore e regjisores Zana Hoxha Krasniqi, që për herë të parë mbledh gratë mbijetuese të dhunës në një skenë të njëjtë me artistët, për të rrëfyer historitë e tyre të trishta. Nën dramaturgjinë e Blerta Zeqirit, u sollën para publikut copëzat e rrëfimit nga përjetimet dhe jeta e femrave të mbijetuara nga dhuna në Kosovë.

Këtë aktivitet kulturorë e përmbylli pjesa “Mësimi”, luajtur nga aktorët e teatrit të Kumanovës, nën regjinë e Ilirjan Himajtë. Shfaqja është një dramë e teatrit avangard francez, dhe flet për një nxënëse adoleshente të etur për mësime. Nevoja dhe dëshira për të vjelë dije e përballë nxënësen me vrazhdësinë dhe dhunën e një profesori psikopat. Autori i veprës është Eugen Ionesco.

Në natën e fundit u ndanë edhe çmimet nga juria profesionale, ku çmimi i parë i takoi shfaqjes teatrale “Drama e Thërrimeve”e Teatrit të Shkupit. Përveç kësaj u ndanë edhe çmime si aktori më i mirë, të cilin e rrëmbeu aktori i teatrit të Durrësit, Romir Zalla, aktorja më e mirë u shpall Armenis Nokshiqi-Jovanovska dhe regjisori më i mirë Fatos Berisha.

Share





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Share