Enis Bardhi në La Liga, më shumë gola se Cristiano Ronaldo

Cristiano Ronaldo është një prej golashënuesve më të mëdhenj të futbollit. Ylli i Real Madridit gjithnjë ka qenë efikas para golit duke regjistruar statistika impresive, jo vetëm në Spanjë, por edhe sa luante për Manchester Unitedin në Angli.

Por, këtë sezon Ronaldo nuk e ka filluar mirë me klubin madrilen. Katër herë fituesi i ‘Topit të Artë’ ka shënuar vetëm një gol në pesë paraqitje për Realin në kuadër të La Ligas, duke përfshirë ndeshjen e sotme kundër Eibarit në stadiumin Santiago Bernabeu, ku ‘galaktikët’ fituan 3-0.

Dhjetëra futbollistë të ekipeve spanjolle kanë shënuar më shumë gola se portugezi në nëntë xhirot e para të kampionatit spanjoll. Një ndër ta është edhe shqiptari Enis Bardhi.

Mesfushori i Levantes ka shënuar tre gola këtë sezon në La Liga, dy më shumë se sulmuesi i Real Madridit. 22 vjeçari i lindur në Shkup golin e parë në Spanjë e shënoi kundër Deportivo La Corunas nga gjuajtja e lirë. Goli i dytë i Bardhit për Levanten pati vlerën e një pike, pasi erdhi në barazimin 1-1 me Valencian. Bardhi shënoi gol edhe katër ditë më vonë, në ndeshjen Levante – Sociedad, që vendasit e fituan 3-0.

Me këta tre gola, Bardhi është golashënuesi më i mirë i Levantes, por këtë pozitë e ndan me sulmuesin José Luis Morales, i cili gjithashtu ka numër të njëjtë të golave këtë edicion.

Bardhi ka shënuar mesatarisht një gol në çdo 179 minuta, kurse në total ka luajtur 537 minuta.

Levante gjendet në pozitën e 12 në La Liga, me dy fitore, pesë barazime e dy humbje. Klubi spanjoll e kishte blerë Bardhin këtë verë nga hungarezët e Ujpest për 1.5 milionë euro dëmshpërblim. Ai përfaqëson Maqedoninë në nivel të përfaqësueseve, ku ka regjistruar 10 paraqitje dhe ka shënuar një gol.

Share





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Share