Taravari: Gostivari ka nevojë për ndryshim. Ademi: Qëllimi ynë, ulja e papunësisë

Gostivari ka nevojë për ndryshime. Nëse jam një votë pas Asafit, ai do të ketë përkrahjen time, por edhe nëse unë jam një votë para, shpresoj se do të kem përkrahjen e Asafit. Kështu tha kandidati i “Aleancës për Shqiptarët”, Arben Taravari, në emisionin “Studio e hapur”. Ai tha se Bejta ka qenë i pasuksesshëm në mandatin e tij në krye të Gostivarit. Duke komentuar anketën e BIRN-it, sipas së cilës komuna e Gostivarit është njëra nga komunat që më së tepërmi ka mbajtur premtimet, Taravari tha se BIRNI ka analizuar disa projekte të Gostivarit dhe jo të gjitha.
“BIRNI është fokusuar vetëm në dy tre projekte. Edhe i ka theksuar se ato i ka realizuar. Nëse i analizoni të gjitha premtimet e Bejtës. E merrni spotin reklamues të atij të 2013-tës, dhe do të shihni se 90 për qind të atyre që i ka thënë do të shihni se i përsëriten përsëri sivjet”, deklaroi Arben Taravari, kandidat i “Aleancës për Shqiptarët” për Gostivarin.
Nga ana tjetër, kandidati i Lëvizjes BESA për komunën e Gostivarit Asaf Ademi, tha se një nga çështjet kryesore me të cilën do të merret nëse fiton mandatin do të jetë zbutja e papunësisë. Ai tha se fatkeqësisht, 90 për qind e rinisë në Gostivar janë të papunë dhe se Gostivari po shndërrohet në një qytet fantazmë, qytet të kazinove dhe të bastoreve sportive.
“Kemi një plan në bazë të diskutimeve që i kemi bërë dhe analizave të truallit të Gostivarit, kemi identifikuar truallin në pronësi të komunës në sipërfaqe prej 12 hektar të cilin do të shndërrojmë në zonë industrial. Aty sipas planifikimeve të ekspertëve të planifikimit urbanistik parashikojmë ndërtimin e minimum 8 ose 10 kapaciteteve ndërtuese cilat do të bënin punësimin e më së paku 800, maksimum 1000 persona”, tha Asaf Ademi, kandidat i Lëvizjes BESA për Gostivarin.
Kandidati i BDI-së, Nevzat Bejta, refuzoi të merr pjesë në emisionin “Studio e hapur”, ndërsa edhe atij ju lexuan pesë pyetje, ndërsa njëra prej tyre ishte kjo: Pse keni lejuar që borxhi i komunës të arrijë në 1.4 milionë euro?
Enis Murtezi

Share





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Share