MAQEDONIA E FESTON 75 VJETORIN KRYENGRITJES ANTIFASHISTE

Shtatëdhjetë e pesë vite nga fillimi i kryengritjes antifashiste dhe Luftës Nacional-Çlirimtare sot në Republikën e Maqedonisë do të shënohen me disa manifestime të organizuara nga Qeveria, Kuvendi, Lidhja e luftëtarëve dhe komunat Prilep dhe Kumanovë.

Manifestimi qendror do të mbahet para Përmendores së çlirimtarëve të Qytetit të Shkupit, në oborrin e Qeverisë. Kurora me lule do të vendosin delegacione të Lidhjes së luftëtarëve i kryesuar nga Nikolla Stojanovski, të Qeverisë nga kryeministri Zoran Zaev, të Kuvendit i kryesuar nga deputetët Juliana Nikollova dhe Dime Vellkovski, delegacion i ARM-së i kryesuar nga zëvendës-shefi i Shtatmadhorisë, gjeneral-majori Muhamet Racaj, si dhe delegacione tjera të institucioneve shtetërore dhe nga kori diplomatik. Janë paraparë edhe fjalime të shkurtra të Zaevit, Racajt dhe Stojanovskit, si dhe performancë e Orkestrës ushtarake të ARM-së.

Tradicionalisht me rastin e festës, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë në mesditë do të ndahet çmimi shtetëror “11 Tetori”. Fitues të sivjetmë të çmimit për vepër jetësore janë artisti muzikor Vllatko Stefanovski në sferën e kulturës dhe artit  dhe historiani prof.dr. Amet Sherif – në sferën e arsimit.

Më 11 Tetor të vitit 1941 luftëtarët nga Aradhat e para partizane të Prilepit e sulmuan patrullën policore bullgare dhe rrjetin telefoniko-telegrafik në Prilep, gjë që e shënoi fillimin e kryengritjes së organizuar të popullit të Maqedonisë kundër okupatorit bullgar, italian dhe gjerman për çlirimin final të vendit. Ditën tjetër, më 12 tetor, doli edhe Aradha partizane e Kumanovës.

11 Tetori është vazhdimi i traditave çlirimtare të popullit liridashës të Maqedonisë, por edhe të përpjekjeve për çlirimin social dhe kombëtar të bëra në Luftërat ballkanike dhe në Luftën e Parë Botërore.

Me vendimin për hyrje në koalicionin antifashist Maqedonia qëndroi në anën e njerëzimit progresiv dhe kundër fashizmit si ideologjia me e errët e historisë bashkëkohore dhe mohimi më i fuqishëm i vlerave të përgjithshme civilizuese dhe demokratike.

Populli i Maqedonisë në mënyrë të pavarur luftoi për lirinë e tij. Nga aradhat e para partizane që e filluan luftën, Ushtria Popullore Çlirimtare e Maqedonisë në fund të luftës katërvjeçare u shndërrua në një armatë me 110 mijë vetë dhe me një organizim të mirë me formacione ushtarake të rangut të lartë.

Gjatë okupimit nga Maqedonia janë internuar 58.000 persona, ndërsa krahas krimeve që okupatorët i kanë kryer mbi popullatën e pafajshme civile, vendi pësoi edhe dëme të mëdha ekonomike.

Kurorë e kësaj lufte janë vendimet e Asamblesë së parë të KAÇKM-së në vitin 1944, me të cilat janë përjetësuar idealet shumëshekullore për themelimin e shtetit të Maqedonisë.

Share





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Share