Gjithësia në Kur’an

Kur’ani bën fjalë vazhdimisht për ngjarjet që ndodhin në botë (mbi tokë), për qiellin, diellin dhe yjet. Gjithësinë Kur’ani e ndan në gjithësi të fshehtë (gajb) dhe gjithësi të dëshmueshme (shehadeh). Për Allahun nuk ka gjë të fshehtë e të panjohur. “Ai është Zoti i të gjitha gjërave që ekzistojnë, domethënë i botëve.” (Fatiha, 1); dhe “…është Ai që njeh të fshehtë e të dukshmen, është i urtë dhe e i informuar për gjithçka.” (En’am, 73)

Megjithëse flet shpesh për gjithësinë, Kur’ani nuk mund të trajtohet si një libër kozmologjie apo shkencash natyrore. Pavarësisht nga analogjitë mrekullore në fjalë, në themel, të gjitha këto Kur’ani i bën për të ngritur lidhjen Allah-besim. Synimi bazë i Kur’anit është që, duke i siguruar njeriut formimin e një kuadri informativ të caktuar, ta sjellë atë në gjendjen e një qenieje që beson dhe bën punë të dobishme.

Është e vërtetë se në Kur’an aludohet për të vërteta shkencore që kanë tërhequr vëmendjen e shumë shkencëtarëve. Zbulesa Hyjnore është zbritur para së gjithash dhe mbi të gjitha për ta mësuar fenë e vërtetë, Islamin.

Kur’ani na tregon neve për Allahun, njeriun, shoqërinë dhe jetën e pasme (Ahiretin), duke na i sjellë para syve gjërat që ndodhin në gjithësi në formën e tablove të gjalla.

Gjithësia është e krijuar. Përderisa grimca më e vogël që ndodhet në gjithësi është e krijuar nga Allahu, edhe gjithësia është e krijuar nga Ai. As një qenie në gjithësi nuk mbart në vetvete shkakun, mundësinë dhe kushtin që të jetë krijuar vetë. Çdo gjë bën shenjë për një Krijues, tregon se, për të mundur të ekzistojë, ka nevojë për Të. Në Kur’an (A’raf, 54) thuhet: “Padyshim, është Zoti juaj, i cili krijoi qiejt e tokën brenda gjashtë ditëve e pastaj, sundoi mbi Arshin. Ai e mbulon ditën me natën, të cilat ndjekin njëra-tjetrën; edhe dielli, hëna dhe yjet, që të gjithë, i janë nënshtruar urdhrit të Tij. Dijeni se edhe krijimi, edhe sundimi janë e drejta e Tij.”

Duke lexuar këtë ajet dhe të ngjashëm me të, është mirë që, me aq sa na lejon logjika e shprehjes dhe e zbulesës hyjnore, kufirin e kuptimit ta mbajmë të gjerë. Është fjala se nuk është e detyrueshme që shprehjen gjashtë ditë ta kuptojmë si gjashtë ditët tona. Këto gjashtë ditë mund të komentohen edhe si periudha me vlerë të panjohur.

Në gjithësinë e krijuar, çdo qenie e vazhdon ekzistencën e saj, duke zbatuar urdhrin hyjnor. Gjithësia është krijuar në një kohë të caktuar. Ajo gjithashtu ka një fund, d.m.th. do të marrë fund në një pikë kohore të caktuar. Krijimi Hyjnor vazhdon, ai do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ideja e qenies së krijuar bart në vetvete dhe idenë e rregullit dhe harmonisë. Padyshim se gjithësia është krijuar nga një qenie e ditur, e fuqishme dhe e mëshirshme në rregull e harmoni të plotë. Sipas Kur’anit, në gjithësi ka rregull e harmoni, se çdo gjë zhvillohet sipas një sërë ligjesh të brendshme e të jashtme. Rregullsinë e ngjarjeve shoqërore, Kurani e cilëson si Sunetullah, Suneti i Allahut (shih Isra, 77).

Në Kur’an, rregullsia dhe harmonia në gjithësi janë kushtëzuar edhe ndaj ekzistencës, edhe ndaj njësisë (Unitetit) të Allahut. Ekzistenca dhe njësia e Allahut janë garancia e vetme e rregullit dhe harmonisë në gjithësi. Pa lejen e Allahut, kjo rregullsi dhe harmoni nuk mund të cenohen. Zoti urdhëron: “Pa dyshim. Në çdo gjë e kemi krijuar sipas një mase të caktuar” (Kamer, 49) dhe “Ai (Allahu) ka krijuar dhe formësuar. Ai e ka krijuar çdo gjë sipas një mase të caktuar dhe i ka treguar rrugën e vet.” (Ala, 2-3)

Ndërkohë, të gjitha qeniet në gjithësi i ka krijuar me masë dhe peshë të caktuar.

Në Kuran (Hixhr, 19-21) thuhet: “Atje (në tokë) çdo gjë e bëmë të matshme. Nuk ka gjë të mos e ketë burimin te Ne. Ne atë (që ndodhet te Ne) e zbresim sipas një mase të caktuar.”; “Pranë Tij çdo gjë është e matur.” (Rad, 8)

Nuk mund të mendohet që krijimi, në kuptimin kozmologjik, të jetë i pavarur nga një synim final. Të shohim ajetin 38-39, sure Duha: “Ne nuk i krijuam për lojë qiejt e tokën dhe ato që ndodhen mes tyre. Ne i krijuam ato vetëm me synime të drejta (dhe ashtu siç duhej), por shumica e njerëzve nuk e dinë”; dhe ajetin 17, sure Enbija: “Po të dëshironim të luanim e të dëfreheshim e, po ta bënim këtë, do ta bënim në përshtatje me dinjitetin tonë, por nuk e bëmë.”

Gjithësia është një e tërë organike. Atje çdo gjë është në marrëdhënie të largët apo të afërt me çdo gjë. Ja, kjo është lidhja që i jep vazhdimësi jetës në gjithësi. Nga era te reja, nga reja te shiu, nga shiu te toka, ajri e gjer në qiell, të gjitha gjërat, të lidhura dorë për dore i nënshtrohen Ligjit Hyjnor dhe, me lejen e Zotit, vazhdojnë një jetë të caktuar.

Edhe njeriu, në dallim nga qeniet e tjera, është i detyruar të jetë i vetëdijshëm se edhe vetë, edhe qeniet në botën natyrore, janë krijuar sipas një synimi të caktuar.

Faktit që një qenie çfarëdo është krijuar nga Allahu që zotëron urtësi, vullnet e fuqi, është garancia më e shëndoshë se ajo është krijuar objektivisht, pra është objekt i mendimit dhe i kërkimit shkencor. Gjithësia e krijuar është tërësi e vërtetë dhe e kuptueshme dhe njeriu, brenda fuqisë së kuptimit dhe konceptimit, është në gjendje ta shohë gjithësinë si objekt të dijes. Kur’ani tërheq vëmendjen mbi këtë fakt të përgjithshëm me këto ajete: “A nuk e shohin ata se si e kemi bërë dhe stolisur qiellin që kanë sipër?” (Kaf, 6); “Ata mendojnë për krijimin e qiejve e të tokës.” (Al Imran, 191). Nga ajetet që cituam më lart, kuptohet qartë se gjithësia është tërësi qeniesh që duhen vëzhguar e studiuar me vëmendje. Sipas Kur’anit, Allahu është autori dhe shkaku përfundimtar i çdo gjëje që ndodh. Në Kur’an thuhet: “Çdo gjë në tokë e në qiej, dashja pa dashje i është nënshtruar Allahut.” (Al Imran, 83) dhe “…çdo gjë e madhëron Atë edhe nëse ne nuk e kuptojmë këtë madhërim të tyre.” (Isra, 44)

Kur vëzhgon gjithësinë, njeriu sheh në të shumë bukuri. Në suren Muminun, ajeti 14 thuhet: “(Allahu)…është më i bukuri krijues.” Bukuria në Kur’an zë vend në tre aspekte: Allahu, gjithësia, njeriu. Bukurinë e ka krijuar Allahu, pra ka mundësi ta njohë bukurinë në mënyrë objektive. Në Kur’an (Isra, 70) thuhet: “Ne i bëmë njerëzit të nderuar, i bartëm në tokë e në dete dhe i furnizuam me gjëra të pastra”; “Është Allahu që ka krijuar qiejt e tokën, …që ka vënë në shërbimin tuaj diellin dhe hënën që ecin në një trajektore të caktuar, ditën dhe natën.” (Ibrahim, 32-33); “A nuk e shohin se e kemi bërë natën për prehje e ditën të ndriçuar? (Neml, 86). “Zoti juaj bën që gjemitë të lundrojnë në det që ju të keni mundësi të përfitoni nga të mirat e tij të shumta” (Isra, 66).

Përbërja e sipërfaqes së tokës dhe gjërat që mbijnë e rriten aty janë dhunti Hyjnore të krijuara për vazhdimësinë e jetës së njeriut. Në Kur’an (En’am, 99) thuhet: “Ai është që zbret ujë nga qielli. Çdo lloj bimësie me ujë e bëmë. Prej tij nxorrëm gjelbërime, prej gjelbërimit kokrra të dendura në kallinj, veshule që varen, vreshta me rrush, ullinj dhe shegë. Shihni kur piqen llojet e tyre.”

Ushqimet e ndryshme Kur’ani i shpreh me fjalë të tilla si fadl (mirësi, favor), nimet (dhunti), rrizk (ushqim, furnizim) të Allahut. Kjo e shtyn njeriun të mendojë edhe mbi veten, edhe mbi Zotin, edhe mbi dhuntitë e Tij. Në ajetin 12-14, sure Zuhruf, thuhet: “…Ai ka krijuar për ju transportues nga gjemitë dhe kafshët. Kur të përqendroheni mbi të gjitha këto dhe të kuptoni mirësinë e Zotit tuaj, do të thoni: “Sa i lartë është Ai që i ka vënë në shërbimin tonë këto. Ne s’kemi fuqi për t’i siguruar vetë këto. Ne do të kthehemi te Zoti ynë.”

Njohja dhe kuptimi i gjithësisë, sipas Kur’anit, lind te njeriu një rezultat të bukur që përmban dijen, besimin, moralin dhe përvojën etike, që është edhe ajo çka kërkon Kur’ani.

Sipas Kur’anit, njeriu “është krijuar në trajtën më të bukur”, kurse gjithësia është plot bukuri. Në Kur’an (Saffat, 6) thuhet: “Padyshim, Ne e pajisëm dhe stolisëm qiellin e afërt me yje”; “Gjërat që ndodhen mbi tokë i bëmë stoli të saj” (Kehf, 8); “Dhe zbritëm nga retë e dendura shira të shumta për të rritur kokrra, bimë, pemë e kopshtije” (Nebe, 14-16). Në këto ajete bëhet fjalë për bukuri natyrore. Në Kur’an bëhet fjalë edhe për shumë bukuri të tjera si fjala, besimi, jeta tokësore, përpjekja dhe lufta, veprimtaria mësimore-edukative etj. Në Kur’an hidhet fjala për dallimin e gjërave të mira, të bukura e të lejueshme, përdorimin e të cilave e lejon Kur’ani me kusht që të mos kalohet në teprim: “Kush është ai që i ndalon zbukurimet dhe furnizimet e pastra që Allahu i krijoi për robtë e Tij?” (A’raf, 32)

Po t’u shtojmë këtyre që cituam më lart edhe bukuritë e banorëve të Xhenetit (veshjet, ngrëniet e pijet) mund të shohim se botëkuptimi kuranor mbi të bukurën shpalos një pasuri të madhe.

Gjithësia është krijuar për të mbështetur ekzistencën dhe për t’i dhënë vazhdimësi asaj. Çdo gjallesë e vazhdon jetën sipas programit natyror të krijuar nga Allahu për të. Edhe bimët, edhe njeriu ka nevojë për ujin, ajrin, dritën e diellit, por vetëm njeriu është i vetëdijshëm për këtë. Kjo vetëdije luan një rol shumë të rëndësishëm për ngritjen e marrëdhënieve krijesë – Zot dhe krijesë –krijesë.

Share





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Share